Koloneli në pension i Policisë së Kosovës, Rrahman Sylejmani, ka komentuar protestën e Njësisë Speciale Intervenuese (NjSI) gjatë ditës së mërkurë.
Sylejmani ka thënë se me çështjet e sigurisë nuk duhet të përdorën për poena politikë as nga pozita e as nga opozita.
Sipas tij, opozita është duke e bërë të kundërtën e saj.
“Nuk është dashur që as pozita e as opozita, sidomos opozita të bëjë opozitarizëm më çështje të sigurisë dhe të policisë. Fatkeqësisht po e bëjnë atë për arsyet e veta. Edhe kjo me vetëdije apo pa është e manipuluar, Policia ka mbetur e vetme dhe iu ka rrek edhe metodës së grevës dhe protestës në shesh”, ka thënë Sylejmani në RTV Dukagjini.
Ai ka pasur kritika edhe për Qeverinë, duke thënë se Qeveria ka krijuar përçarje brenda Policisë.
“Ata duhet të mbulohen me shtesat rrezikshmërinë, i kanë pasur shumë mirë dhe është dashur të me i avancu, por këta i kanë marrë edhe i kanë kthye mbrapa edhe kanë krijuar përçarje brenda Policisë. Se dikujt ia kanë rritur dikujt ia kanë zvogëluar. Askush në fije nuk mund i bie”, ka shtuar Sylejmani.
Ndërsa, ish-zëvendësministri i Brendshëm, Selami Shkodra, i ka bërë thirrje ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçlës, që të bisedojë me menaxhmentin e Policisë dhe të gjejnë një rrugë të tretë.
“Qeveria me urgjencë, i bëj thirrje ministrit të Brendshëm të ulet me ministrin e Financave pa debat publik të bisedojë me menagjmentin e Policisë dhe me këto njësitë përkatëse, me qëllim që të gjendet një rrugë e mesme ku do të zgjidhnin një numri i kërkesave të tyre që janë në mundësinë Qeverisë së Kosovës”, ka thënë Shkodra.
Edhe ish-ushtaraku, Afrim Veseli, ka theksuar se protesta është një masazh shumë i keq për Kosovën dhe veçanërisht për Qeverinë.
Ai ka përmendur kontributin e madh të Policisë së Kosovës, në luftën kundër terrorizmit në datën 24 shtator në Banjskë.
Për të dalë në rresht për të kërkuar pagë të dinjitetshme është një trup që shfaq rezerva ndaj Qeverisë dhe shoqërisë së Kosovës, sipas Veselit.
“Është një masazh shumë i keq për krejt Kosovën dhe gjithë qytetarët e Kosovës dhe sidomos për Qeverinë. Sot djemtë më të mirë të Kosovës janë detyruar të dalin të rreshtohen para qeverisë për të kërkuar pagë të dinjitetshme është trup për qeverinë dhe për të gjithë shoqërinë tonë”, ka deklaruar ai.
Ai gjithashtu ka theksuar se situata e policëve është e vështirë dhe tejkalon nënçmimin e tyre.
Veseli ka bërë të ditur se puna e Policisë së Kosovës është përherë e rrezikshme për jetën dhe se ata mbrojnë sigurinë e qytetarëve 24 orë në ditë, duke e cilësuar misionin e tyre si të rëndësishëm për mbrojtjen e sovranitetit dhe lirisë së vendit.
Afrim Veseli ka përmendur edhe dëshmorin e policisë, Afrim Bunjaku, i cili është ndër ata që kanë humbur jetën gjatë përleshjes me grupe terroriste serbe në Banjskë.
Ai ka theksuar se pagesa që ata marrin është e mjaftueshme për të mbijetuar, por nuk i sjell shpëtim familjes së tyre.
Sipas tij, shpërblimi financiar i tyre është shumë e vogël krahasuar me sakrificën që ata bëjnë, sepse misioni i tyre është të mbrojnë qytetarët dhe vendin.
“Kjo e tejkalon nënçmimin e atyre njerëzve, ne duhet të jemi të vetëdijshëm se 24-orëshi dita dhe nata e çdo familjeje në Kosovë përkujdesja e sigurisë së tyre bëhet nga Policët e Kosovës. Polici i Kosovës është përherë i përballur më rrezik për jetë”.
“Më 24 shtator kur njësitët e tona policore u atakuan, ishin ata që e mbrojtën sovranitetin dhe lirinë e vendit. Ra edhe dëshmor polici rreshteri Afrim Bunjaku. Cila pagesë është e mjaftueshme që vriten ata djem, cila para ngrit sot Afrim Bunjakun, nuk ka para as asgjë tjetër. Sepse familja ka mbetur pa më të dashurin sepse misioni i policit është që të mbroj qytetarin dhe atdheun”, ka thënë ai.