Drejtori i Drejtorisë për Operacione në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës(MFSK), gjeneral brigade Zymer Halimi, në emër të komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama priti në takim lamtumirës këshilltarin ushtarak të komandantit të FSK-së, kolonelin nga Mbretëria e Bashkuar, Andy Layton, me rastin e përfundimit të misionit të tij në FSK.
Me këtë rast, gjeneral Halimi i shprehu kolonelit Layton falënderimin dhe mirënjohjen për angazhimin e tij të pakursyer dhe kontributin e jashtëzakonshëm gjatë shërbimit në detyrën e këshilltarit të komandantit të FSK-së, si dhe gjatë tërë shërbimit të tij në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Gjithashtu, gjeneral Zymer Halimi falënderoi Mbretërinë e Bashkuar, Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura britanike për bashkëpunimin, ndihmën dhe mbështetjen e tyre të sinqertë në zhvillimin, avancimin dhe profesionalizmin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe për përkrahjen e tyre të vazhdueshme në arenën ndërkombëtare, ku Mbretëria e Bashkuar ka kontribuar shumë dhe vazhdon të jetë zë i fuqishëm i FSK-së dhe Kosovës në zhvillimin e sektorit të sigurisë.
Nga ana e tij, kolonel Andy Layton, këshilltar i deritanishëm i komandantit të FSK-së, tha se, ndjehet i lumtur që misioni i tij po përfundon pikërisht në kohën kur FSK-ja po shënon rezultate, me vizion të qartë, si Forcë në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Koloneli Layton tha gjithashtu se kohën e shërbimit në Kosovë dhe në MFSK e konsideron pjesë të rëndësishme të punës së tij, dhe se angazhimi dhe përkushtimi i oficerëve që bartin këtë detyrë në MFSK do të jetë i vazhdueshëm dhe se oficerët britanikë do të vazhdojnë të mbështesin FSK-në. /Telegrafi/