Site icon Telegrafi

Kolonat e gjata nëpër kufij, Osmani: Rezultatet e “Open Ballkan” do të shihen së shpejti

Kolona e pritje të gjata në kufij kishte edhe këtë sezon të verës.

Në Bllacë e Tabanovcë pritej deri më 3 orë, ndërsa mërgimtarët e qytetarët ankoheshin edhe për mos funksionimin e iniciativës “Open Ballkan” e cila synim ka lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave.

Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani vlerëson se rezultatet e kësaj nisme do të shihen së shpejti.

“Unë mendoj se kjo është një prej qëllimeve, që të lirohet lëvizja, të krijohen “One stop shop”, të hiqen edhe krejt kufijtë ndërmjet vendeve të rajonit, mirëpo ky është proces. Ende njerëzit kanë paragjykime, ende kanë frikë, çka mund të jetë prapavija e kësaj iniciative, a do të përfiton një vend më tepër se tjetri dhe sigurisht se jo secili vend do të përfiton jo njëjte. Edhe në BE nuk përfitojnë të gjithë nga tregu i përbashkët”, tha Bujar Osmani, ministër i Jashtëm.

Kosova dhe Shqipëria i hoqën krejtësisht kontrollet kufitare gjatë muajve veror dhe vikendeve, me çka nëpër pikat kufitare nuk kishte pritje të gjata e të mundimshme.

TV21 pyet: Ne kemi parë Kosovën dhe Shqipërinë kanë hequr kufijtë gjatë verës dhe gjatë vikendeve. Pse kjo nuk mund të bëhet edhe mes Maqedonisë dhe Kosovës për të mos pasur kolona të gjatë në Bllacë psh?

“Ky është edhe qëllimi. E dini që punohet për “One stop shop” me Kosovën, bile në afat të gjatë pse jo. Tashmë kufijtë janë koncept i tejkaluar , kufijtë nuk ruajnë më sigurinë e shteteve. Ka forma tjera për të ruajtur sigurinë e lëvizjes së njerëzve. Kufijtë tani janë bërë pengesa të qarkullimit të njerëzve, të mallrave e kështu me radhë, mirëpo thash se paragjykimet ekzistojnë… BE nuk njeh kufij, por çfarë deri atëherë, po llogarisë se 10 vite do të na duhen, unë shpresoj edhe më pak për BE, por ja hipotetikisht çfarë do të bëjmë në dekadën e ardhshme. Unë mendoj se këto janë mënyra të mira për t’i përgatitur vendet për tu bërë pjesë e atij tregu”, deklaroi Bujar Osmani, ministër i Jashtëm.

Osmani përfundoi se nisma “Open Ballkan” do të jetë plotësisht e suksesshëm vetëm atëherë kur të jetë gjithëpërfshirëse me të gjithë 6 shtetet e Ballkanit perëndimor brenda saj.

Exit mobile version