Site icon Telegrafi

Kolona me kilometra në Merdarë

Në pikë kalimet kufitare me Serbinë, në Merdarë dhe Mutivodë, ka fluks të madh të automjeteve, ku pritjet në dalje zgjasin 4 deri në 5 orë.

Si pasojë e pritjeve të gjata, janë shkaktuar kolona deri në dy kilometra, transmeton KosovaPress.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, në një përgjigje elektronike për KosovaPress, ka thënë se në vazhdimësi kanë kërkuar nga pala serbe, që të gjenden modalitetet për procedura më të shpejta të kalimit kufitar, që të mundësohet një qarkullim sa më i rrjedhshëm, pa pritje dhe pa kolona edhe nga ana tyre.

Sipas tij, në hyrje nuk ka kolona, nëpër këto pikë kalime kufitare, ku si në Merdarë ashtu edhe në Mutivodë, pritjet në hyrje  janë 5 deri në 10 minuta.

“PK varësisht prej nevojave dhe rritjes së fluksit, ndërmerr edhe masa konkrete për rritjen e kapaciteteve me personel si dhe aplikim të procedurave të përshpejtuara të kalimit”, thotë Hoxha.

Në tabelën me të dhëna për pritjet në pikë kalime kufitare, shihet se po thuajse në të gjitha pikat, pritjet në hyrje janë më të pakta, krahasuar me ato në dalje.

Exit mobile version