Randal Kolo Muani duket se do të largohet nga Eintracht Frankfurt për tu bashkuar me Paris Saint Germain.
Në fakt parisienët kanë bërë një ofertë prej 70 milionë eurove për sulmuesin, ofertë që është refuzuar nga Eintracht Frankfurt.
Skuadra gjermane kërkon të fitojë rreth 100 milionë euro për francezin, por as PSG dhe as skuadrat tjera të interesuara nuk e kanë bërë një ofertë të tillë.
24-vjeçari ka folur për Sky Sport ku ka kërkuar publikisht largimin nga Frankfurt dhe dëshirën për t’iu bashkuar kampionëve në fuqi të Francës.
“I detyrohem shumë Eintracht Frankfurtit. Gjithmonë i kam respektuar tifozët dhe jam sjellë gjithmonë në mënyrë shumë profesionale. Gjithmonë kam dhënë gjithçka për klubin deri në fund”.
“Megjithatë, nuk është sekret që Paris Saint-Germain më bëri një ofertë të rëndësishme. Lëvizja në Paris tani është një mundësi unike për mua”.
“Do të doja të firmosja me PSG-në dhe gjithashtu e kam informuar klubin tim. Shpresoj që Eintracht ta pranojë ofertën dhe ky transferim të bëhet i mundur për mua”, deklaroi sulmuesi francez.
48 orët e fundit janë vendimtare, pasi PSG dhe Frankfurt janë në bisedime për Kolo Muanin dhe mund të arrihet një marrëveshje në minutat e fundit të tregut të transferimeve. /Telegrafi/