Site icon Telegrafi

Kollçaku: Për dhjetë vjet u vranë 15 gra

Me një orë vonesë ka filluar seanca plenare në të cilën do të zhvillohet debat parlamentar rreth dhunës në familje dhe adresimi institucional.

Në fillim të seancës, deputetët e të gjitha partive bënë një foto para foltores së Kuvendit, me bluza të veshura të cilat kishin një luledielli dhe mbishkrimin “Ti je një luledielli”.

Në emër të propozuesit të këtij debati, deputetja e Vetëvendosjes Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, tha se shteti është përgjegjës për përfaqësuesit e tij, duke përfshirë edhe dhunën në familje.

Sipas saj, dhuna në familje përbën shkelje të të drejtave të njeriut, derisa kjo shkelje ka ndikuar në mbrojtjen e të drejtës së personit për jetën, të drejtën për mjete efektive të garantuar me konventën ndërkombëtare dhe Kushtetutën.

“Janë bërë dhjetë vite nga hyrja në fuqi e ligjit për dhunën në familje, nga viti 2008 e deri me sot me shumë se 15 gra janë vra, mbi 20 mijë gra kanë raportuar dhunën në familje, ndërsa mbi 68 për qind e grave kanë përjetuar dhunë në forma të ndryshme. Jemi të sigurt se drejtësia për secilën grua është e stërvonuar  me vet faktin se sa lëndë janë trajtuar nga ana e drejtësisë. Edhe ato pak raste që janë trajtuar vendimet kanë qenë shumë të buta në krahasim me krimin e bërë në familje. Statistikat mbi dhunën në familje e dëshmojnë këtë gjendje. Nga janari deri në dhjetor 2017 janë evidentuar 1196 raste të dhunës në familje”, tha Kollçaku. /Telegrafi/

Exit mobile version