Telegrafi

Kollçaku kritikon deputetët: Në kuvend po diskutohen ligje të rëndësishme me prani të vogël deputetësh

Deputetja Fatmire Kollçaku nga LVV, ka thënë se Kuvendi po zvarrit pikat në seanca dhe po diskuton ligjet e rëndësishme me numër të vogël deputetësh.

Këto komente Kollçaku i bëri kur po diskutohej Projektligji për Punën, me theks të veçantë pushimi i lehonisë.

“E kemi bërë praktikë të diskutojmë kështu me numër të vogël deputetësh ndërsa nuk dihet se kur do të votohen këto ligje të rëndësishme. Edhe ky ligj është tejet i rëndësishëm ndërsa ne po diskutojmë me pak deputet. Kjo praktikë e keqe e kuvendit duhet të ndërpritet, e jo të zvarriten pikat nëpër seanca të reja. Janë 50 pika që po zvarriten”, ka thënë ajo, transmeton Telegrafi.

Sa i përket projektligjit të punës, Kollçaku ka thënë se në praktikë ka shumë mangësi.

“Problemin e kemi tek ligjet që nuk zbatohen. Në Ligjin e ri të punës, ne angazhohemi për një infrastrukturë ligjore që mbron të drejtat e punëtorve në punë. Me ndryshimin e ligjit të punës do të ndryshohet edhe orari i plotë i punës, ku orari prej 40 orëve paraqet kohëzgjatjen e duhur. Sot efikasiteti në punë mungon për shkak të demotivimit të kushteve në punë në të cilin punojnë punëtorët”, ka thënë ajo.

Ajo ka theksuar se me ligjin e ri për punën do të rregullohet edhe çështja e pagave.

“Me qëllim të sistemimit të pagave me ligjin e ri do të parashihet edhe benifitet në bazë të përvojës së punës. Me këto rregullime alternative synojmë të përmirësojmë gjendjen në sektorin e punës”, ka thënë ajo./Telegrafi/