Site icon Telegrafi

Kollaret nga thesi i “Babadimrit”

Kryeministër, dil dhe merri kravatat! Edhe këmishët. Ditën e parë të punës, pas Vitit të Ri, me e fillu me kravatë “të re”! Çorapet edhe gjësendet e tjera, që u mbështetën, apo u varën për gardhi të Qeverisë, nuk i ke përmend, kështu që mundesh edhe mos me i marrë. Merri veç ato çka i ke përmend se nuk mundet një kryeministër me i ble me rrogë, se “Babadimri” t’i ka sjellë. E pamë, u ngritën në këmbë krejt shtresat intelektuale, të sheshit, dhe i mblodhën mbi 250 kollare për Ju, dhe stafin. Të kanë nderua, kryeministër! Ua kthefsh me të mirë!

Këshilla ime, të cilën e ke gratis si kontribut për këtë aksion, është: kollaret merri, e pagën mos e ul. Nëse punon qysh duhet, krejt pagat kanë me u ngritë. Edhe nëse nuk ngriten pagat për të gjithë, pagën tënde (dhe të stafit) mos e ul pa e ul edhe presidenti të veten, dhe të tjerët që janë më lartë në hierarki. Ani çka se I paskan mbledhë 250 kollare? Namin e paskan bë!

Nejse de, dikush këmisha, dikush kollare, e ju të dashur lexues, mos t’ju hutojë fakti se në këtë shkrim po përdoret herë fjala kravatë e herë kollare për të njëjtin gjë, sepse edhe vet Babadimri në prag të Vitit të Ri… e ngatërron “standardin”. Pastaj, jo veç kollare, por dikush në takat të vet fali edhe nga dhjetë centë e më shumë. Mos të thotë kush që nuk po dëgjohet fjala e politikës…! Madje, njëri aty, për efekt e hoqi edhe këmishën nga trupi, e hoqi edhe çorapet. Shyqyr që u ndal me kaq.

“Show” hesapi, kryeministër, po s’ke çka me i bë. Mos me pas qenë kryeministër, nuk e kishe pas për obligim as me qesh me këtë performansë, por tash duhet së paku me buzëqeshë!

Por, kuptohet, nuk mundesh me pranu me i heq njeri rrobat prej trupi, sado që ai po përpiqej të dukej se po t’i jep me gjithë zemër. Tash, edhe vet duhet të jesh autokritik, kryeministër, s’ke pasë nevojë me përdor atë arsyetim koti për rritje të pagave. Garant nuk e ke pyet shtabin e luftës. Nëse asgjë tjetër, e di shumë mirë kur je në luftë, se qysh e ke thanë edhe vet, je si macja, edhe gjithmonë bie në këmbë. Ke mund me thanë e rrita rrogën se edhe Hashimi qashtu e ka rritë, edhe Kadriu, edhe… ren vëlla. Të kanë pasë nda në luftë, tash në paqe mos lejo! Ky është argumentim që e kupton publiku. Qashtu angazhohesh për barazi, barazi në elitë, kuptohet.

Por, të kthehemi te performanca. Këtu, aktivistit, i cili veç me insistimin e publikut u ndal te çorapet e para, pasi i hoqi një palë për Qeverinë, mbase duhet dhënë një këshillë publike, për të ruajtur vlerën e gjestit të tij human. I nderuar aktivist, kujdes, se nesër mund të jesh edhe (zëvendës)ministër dhe duhet të dish se në Evropë, kur dhurohen rrobat, ato paraprakisht lahen dhe hekurosen, pastaj dërgohen te shoqatat humanitare. E di se do të thuash ndoshta se edhe detergjentin keni mundur me e dhuru, në të njëjtën pako, që Qeveria me mund me mbajt nivelin e pastërtisë. Sidomos ka qenë me rëndësi që me e furnizu Ministrinë e Financave me detergjent, se paret duhet me qenë gjithnjë të pastra…! Por, kjo ide mundet me u zhvillu pafundësisht, prej gjenerate në gjeneratë… derisa t’i marrim vizat.

Dorën në zemër Kushtrim, ju nuk shfaqët breng edhe për presidentin, edhe ca të tjerë, të cilët nuk i kanë përmendur fare kravatat kur i rritën rrogat dhe i bënë gati barabar me ato të fondit të pensioneve, lobit energjetik etj. Kur munden “pensionistët”, pse nuk mundemi ne, thanë ata me veti. E nime, pse jo? Po flasim për fondin e të gjitha fondet e tjera (jo)publike, kuptohet, se duhet me të vërtetë me pas pagë të mirë për mos me t’u ngjitë për dore paret e qytetarëve. Qashtu duhet me ua bë rrogat edhe ministrave, zëvendësministrave, këshilltarëve dhe kujtdo që është afër pareve të popullit. Mos me mujt nesër me thanë, nuk patëm qare se rrogat e vogla. Nuk është zgjidhje me u dhënë leje me vjedh, kushdo që i ka rrogat e vogla. Me vjedh pushteti diqysh ka boll, e me u çu populli me vjedh, prej kujt me vjedh…?

Nejse, se dolëm prej teme pak. E tema jeni ju, kryeministër. Pas një viti të lodhshëm me zgjedhje, ju po doni me u bë, zgjidhje! E keni ditur se kanë me ju sha, kryeministër, se po i lëvizni gjërat që kanë “fjetur” moti. Mos e prek shtratin e lumit që rrjedh, ka thënë i moçmi. U dashtë me e ditë se ka me pas fjalë…

Por, edhe kjo situatë ka zgjidhje. Duke pasur parasysh se Qeveria, Parlamenti edhe Presidenca, të gjitha janë brenda një gardhi, kështu që të gjithë të interesuarit nëse mendojnë se paga e tyre nuk u mjafton, mund të dalin te gardhi dhe të marrin ndonjërën nga këmishët dhe kravatat në gardh.

Eh, shoqëria civile! Dikur, te ne, shoqëria civile merrej drejtpërdrejtë me politikë dhe përfitonin nga politika, hynin e dilnin prej politike si me qenë gazetarë, por edhe tash mund të mos jetë ashtu…! Ky, Kushtrimi, për shembull, me iniciativën e tij dëshmoi se di të argëtojë popullin, kështu që merre në konsideratë së paku për zëvendësministër. Gjithsesi, mbaje mbyllur në zyrë. E kur e lëshon me dalë, thonë: “Ramushi e lëshoi Kushtrimin”.

Edhe Halilit i ra hise një kravatë, e kuqe, me pika të bardha, e lidhur hazër. Por ai ia di renin, si njeri i muhabetit e i letrave. Shpërndau për gazetarët dhe humanitarët dhurata nga Qeveria, të paketuara si një raport pune. Çka mundet një qeveri me i dhanë më shumë popullit të vet, sesa punë? Qeveritë e mëparshme kurrqysh nuk kishin guxu me i dhuru rinisë një raport pune. Për raport nuk e kishin telash as qeveritë e tjera, por puna ishte… te puna.

E, Ramushi po raporton duke qeshur. Pas raportit te presidenti, te kryeparlamentari, u pa se nuk e ka problem me i raportu edhe shoqërisë civile. Duhet me i respektu, se qysh o edhe traditë te ne, nesër të njëjtit mundet me i pas edhe ministra, apo zëvendës të tyre. Më së paku këshilltarë!

Tash i kemi, të gjitha. Edhe vendi në mes të dimrit ka nis e po lulëzon, sa veç edhe vizat po na mungojnë. Duhet me ik dika, se nuk jemi mësua me na raportu qeveria…! Mundet me u bë… ngjitëse!

Exit mobile version