Site icon Telegrafi

Kolevski: Vetingu i gjykatësve dhe prokurorëve të mos bëhet shpejtë

Vetingu i gjykatësve dhe prokurorëve duhet të mendohet mirë, të mos bëhet shpejtë, të dihet se kush dhe si do ta bëjë dhe të mos shndërrohet në përzierje të pushtetit ekzekutiv në pushtetin gjyqësor, deklaroi për AIM njeriu i parë i Këshillit të Prokurorëve Publikë, Aco Kolevski.

“Vlerësoj se duhet me kujdes t’i qasemi kësaj mase. Ajo duhet të mendohet mirë. Të mendohen qëllimet e vetingut, të definohet për nga përmbajtja në të cilën do të bëhet. Më tutje, cili organ ose cilat organe ose institucione shtetërore do të duhet ta bëjnë, të kemi kujdes që kjo të mos nënkuptojë që të jetë përzierje e drejtpërdrejtë në pushtetin gjyqësor nga ana e pushtetit ekzekutiv. Nëse bëhet, duhet të japë efekte pozitive, e jo të japë efekte negative. Gjendja në sistemin gjyqësor nuk është në nivelin e nevojshëm, e prandaj me vetingun të mos përkeqësohen më tutje”, theksoi Kolevski.

Kryetari i Këshillit të Prokurorëve Publikë thotë se duhet të mendohet se vallë në këtë moment nevojitet ose jo veting i gjykatësve dhe prokurorëve publikë.

“Tani jemi para periudhës zgjedhore, nuk e di se a duhet që vetingu të bëhet shpejtë. Më së pari duhet të mendohet mirë edhe procedura të mos jetë e shpejtë. Thjeshtë kjo të mos nënkuptojë shkarkim të menjëhershëm të gjykatësve dhe prokurorëve, por duhet të shihet se a ka bazë për një gjë të tillë. Sepse në këtë moment gjendja pronësore e gjykatësve dhe prokurorëve publikë kontrollohet. Të gjithë prokurorët publikë dorëzojnë fletëparaqitje deri te Komisioni Antikorrupsion për gjendjen e tyre pronësore të të gjithë prokurorëve publikë dhe gjykatësve dhe kontrollohet nga publiku. Secili mund të kontrollojë të dhënat”, tha Kolevski.

Sipas tij, duhet të mendohet se a do të përfshihet vetëm pjesa pronësore ose do të përfshihen edhe disa segmente të tjera që, siç thekson, të mos vijmë nesër në situatë që të përkeqësohet gjendja në sistemin gjyqësor, në vend se të përmirësohet./Telegrafi/

Exit mobile version