Steve Cook nga Cornwall i Anglisë, ka filluar të koleksionojë fshesa me rrymë, prej moshës trevjeçare kur babai ia fali një pajisje të tillë.
Që atëherë, 38-vjeçari nuk ka ndaluar së bleri dhe riparuari këto makina, që shfrytëzohen për të pastruar dyshemenë, transmeton Telegrafi.
Me 40 fshesat e preferuar në banesë, ai e ka të vështirë të lëvizë, ndërsa punëtorinë e ka përplot me të tjera që nuk punojnë si duhet.
“Blej dhe më falin fshesa, të cilat i riparoj dhe më pas i vë në koleksionin tim. Ka të tjerë që kanë më shumë në numër, por unë dua të më punojnë të gjitha”, ka thënë Cook lidhur me rastin. “Pretendoj të kem një rekord, me më së shumti fshesa të vjetra, por që të gjitha të jenë në funksion”.
Pos 100 ekzemplarëve të ndryshëm në bodrum, ai ka marrë edhe një garazh me qira, ku i ka vënë të tjerat të paketuara, sepse nuk ka ku t’i lë. /Telegrafi/