Telegrafi

Kolegji Heimerer organizon tryezën rreth mungesës së rregullimeve për profesionet terapeutike, kërkohet krijimi i një kornize ligjore

Më datën 7 mars 2024, Kolegji Heimerer ka organizuar një tryezë të rrumbullaket, e cila u mbajt në kuadër të aktiviteteve të Muajit të Logopedisë. Tema kryesore e kësaj tryeze ishte “Korniza Ligjore e Profesionit të Logopedisë dhe Bashkëpunimi me Profesionet e Tjera: Mungesa e ligjit për rregullimin e profesioneve terapeutike”.

Tryeza u hap me një fjalim rasti nga Rektorja e Kolegjit Heimerer, Naime Brajshori ku u shpalosen arritjet akademike që janë bërë deri më tash nga Fakulteti i Shkencave Shëndetësore Terapeutike: Logopedi dhe Ergoterapi.

Më pas Dekani nga FSHSHT Muljaim Kacka, ndër logopedët e parë dhe të vetëm në Republikën e Kosovës që ka patur teste vlerësuese në gjuhën shqipe dhe libra të profesionit të logopedisë poashtu në gjuhën shqipe, adresoi disa çështje tejet të rëndësishme sa i përket profesionit të logopedisë, rolit të logopedit në shoqëri, rëndësinë e intervenimit të hershëm dhe nevojën për rregullimin ligjor profesional të profesioneve terapeutike.

Në këtë tryezë, u shqyrtuan disa aspekte të rëndësishme që lidhen me profesionin e logopedisë.

Nga diskutimet u nxorën disa rezultate kyçe:

– Mungesa e ligjeve për profesionet terapeutike: Në veçanti, u theksua mungesa e një ligji që rregullon profesionet terapeutike, duke përfshirë logopedinë. Në sistemin arsimor parauniversitar, termi “logoped” nuk ekziston fare, ky term ekziston vetëm si bashkëpunëtor profesional tek ligji për fëmijërinë e hershme, ndërsa në fushën e shëndetësisë, logopedia njihet si një profesion i pavarur.

– Mungesa e protokollit për bashkëpunimin me profesionet e tjera: Diskutimet shtruan nevojën për një protokoll të qartë që rregullon bashkëpunimin mes profesioneve terapeutike, duke adresuar konfliktet e mundshme mes profesioneve të tjera dhe ofrimit të shërbimeve duke përcaktuar rolet dhe përgjegjësitë.

– Mungesa e ligjit për krijimin e ODA-ve për profesionet terapeutike: Në këtë kontekst, u theksua rëndësia e krijimit të odave profesionale për profesionet terapeutike, duke krijuar një mjedis të përkrahur dhe të koordinuar për ushtruesit e profesionit.

– Rëndësia dhe përfshirja e logopedit në ekipe multidisiplinare: Diskutimet theksuan nevojën për përfshirjen aktive të logopedëve në ekipe të ndryshme multidisiplinare, duke theksuar rolin e tyre të rëndësishëm në kujdesin e shëndetit dhe edukimit.

– Rëndësia e çasjes së intervenimit të hershëm: Këtu u diskutua mbi rëndësinë e intervenimit të hershëm në logopedi, me synim identifikimin dhe trajtimin e shqetësimeve të fëmijëve në faza të hershme të zhvillimit.

Në përfundim të tryezës, Izet Sadiku, drejtori i shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, prezantoi një projekt që tashme veçse ka filluar të implementohet me përfshirjen e profesionistëve terapeutik, duke përfshirë logopedët dhe ergoterapeutët, në ekipet multidisiplinare të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, për t’a zgjeruar më pas edhe në Qendrat e Mjekësisë Familjare të tjera dhe poashtu në Komunat e tjera të Republikës së Kosovës.

Më tutje Armend Zemaj, deputeti i Kuvendit të Kosovës, premtoi një takim në Kuvend për adresimin e çështjeve të ngritura në këtë tryezë, ku të ftuar do të jenë edhe profesionistët e fushave terapeutike. /Telegrafi/