Kolegji Elektoral mblidhet të hënën për të zgjedhur zyrtarisht Joe Bidenin si fitues të zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit, ndërkohë që Presidenti Trump vazhdon të mos e njohë rezultatin. Mijëra përkrahës të presidentit u mblodhën në Uashington me thirrjet për përmbysjen e rezultatit.
Procesi zgjedhor për presidentin e Shteteve të Bashkuara nuk quhet i përmbyllur deri kur elektorët nga të 50 shtetet amerikane, të zgjedhur në raport me popullatën dhe si reflektim i numrit të ligjvënësve e senatorëve që ka shteti përkatës në Kongres, hedhin votat më 14 dhjetor. Përveç dy shteteve amerikane, elektorët e të 48 shteteve të tjera duhet të votojnë për kandidatin që fitoi zgjedhjet në shtetin e tyre.
Të gjitha shtetet i kanë certifikuar tashmë rezultatet dhe Biden ka dalë fitues me 306 vota elektorale, ose 36 më shumë se minimalja e kërkuar për të siguruar fitoren. Për sa kohë që nuk do të ketë ndonjë shtyrje të shpalljes së rezultatit nga gjykata, të hënën Biden pritet të shpallet fitues i zgjedhjeve presidenciale.
Gjykatat federale e shtetërore kanë hedhur poshtë dhjetëra padi të ngritura nga ekipi elektoral i presidentit në përpjekje për të skualifikuar vota, apo për të përmbysur rezultatin në shtete të lëkundura ku u shpall fitues Biden. Gjykata e Lartë nuk pranoi të merrte në shqyrtim një padi të ngritur nga një prokuror i Teksasit për të anuluar rezultatin në katër shtete të tjera, duke mbyllur praktikisht pistat ligjore të presidentit.
Megjithatë, presidenti mbetet sfidues dhe ka sinjalizuar se nuk po heq dorë nga pretendimet e tij. “SAPO E KEMI FILLUAR BETEJËN, shkruante ai të shtunën në Twitter. “I FITOVA ZGJEDHJET ME DIFERENCË DËRRMUESE!”
I WON THE ELECTION IN A LANDSLIDE, but remember, I only think in terms of legal votes, not all of the fake voters and fraud that miraculously floated in from everywhere! What a disgrace!
— Donald J. Trump (@realDonaldTrump) December 12, 2020
Ndërkohë, po të shtunën, mijëra përkrahës të tij të zjarrtë u mblodhën në Uashington duke kërkuar që presidenti të mbetet në post për një mandat tjetër. Pati edhe përleshje mes përkrahësve dhe kundërshtarëve të presidentit. Katër vetë u dërguan në spital me plagë nga armë të ftohta dhe 23 u arrestuan, sipas rajonit policor të Uashingtonit. /VOA/