Site icon Telegrafi

Kolaps në Paris: Greva paralizoi metronë, miliona njerëz pa transport

Një grevë e madhe paralizoi sot rrjetin e metrosë së Parisit dhe linjën e trenave të qytetit, sepse punëtorët e atij sektori kërkojnë një rritje më të madhe të pagave nga ajo që u ka ofruar menaxhmenti.

Aksioni i sotëm ndërpreu udhëtimet e miliona njerëzve, pasi kompania franceze e transportit publik RATP njoftoi se gjashtë linja të metrosë ishin mbyllur, ndërsa linjat e mbetura funksiononin vetëm pjesërisht, raporton reuters.

Nga goditja u goditën rëndë edhe linjat kryesore RER të qytetit veri-jug dhe lindje-perëndim, ndërsa mbetën në funksion vetëm dy linja, linja 1 dhe 14, të cilat janë vetëqeverisëse sepse nuk kanë përcjellës njerëzor.

Punëtorët e RATP kanë thënë se greva ka ardhur si pasojë e rritjes së pamjaftueshme të pagave të ofruara nga ajo kompani shtetërore, e cila paraprakisht kishte deklaruar gatishmëri për rritjen e pagave të punëtorëve për 2.7 për qind këtë vit.

Megjithatë, sindikatat e cilësuan një ofertë të tillë si provokim, raporton leparisien.

Transporti publik i Parisit është ndërprerë disa herë në vitet e fundit, dhe parizianët kujtojnë veçanërisht grevat disamujore në vjeshtën e vitit 2019, kur punonjësit e transportit publik dhe hekurudhave protestuan kundër planeve të reformës së pensioneve të presidentit Emmanuel Macron, të cilën më vonë e anuloi. /Telegrafi/

Exit mobile version