Telegrafi

Kolaj ‘tradhton’ Prishtinën, me dy gabime fatale ia falë fitoren Malishevës

Prishtina është mposhtur si vendas nga Malisheva me rezultat 2-0 në ndeshjen e vlefshme për javën e 21-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.

Ndeshja e zhvilluar në ‘Sami Kelmendi’ në Lipjan, e vlefshme për pozitën e katërt i ka takuar në fund malishevasve, falë edhe paraqitjes katastofike të portierit vendas, Agron Kolaj, i cili bëri dy gabime trashanike.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë të barabartë nga të dyja skuadrat, por ishin vetëm mysafirët të cilët tundën rrjetën.

Ishte sulmuesi Altin Aliu (34’), i cili shfrytëzoi për mrekulli një dalje të dobët të portierit Kolaj, i cili ia dhuroi topin dhe ai shënoi në portën e zbrazët për 0-1.

Në pjesën e dytë, Prishtina shtoi sulmet në kërkim të golit të barazimit duke rrezikuar disa herë, por pa sukses, ndërsa në fund mysafirët shënuan përsëri në fund për golin e fitores.

Kësaj radhe ishte sulmuesi Rilind Haziraj (88’), i cili po ashtu ishte me portën e zbrazët pas një dalje katastrofike të portierit Kolaj, duke shënuar për rezultatin përfundimtar 0-2.

 

Pas kësaj fitore, Malisheva renditet e katërta me 45 pikë apo pesë më shumë se Prishtina e pesta.

Në ndeshjen e ardhshme, Prishtina udhëton te Llapi, ndërsa Malisheva e pret Feronikelin ’74. /Telegrafi/