Telegrafi

Kokteji i antitrupave aprovohet për përdorim emergjent në SHBA, këtë terapi e kishte marrë edhe Trump gjatë kohës sa ishte me COVID-19

Administrata e Ushqimit dhe e Barnave në SHBA (FDA), lëshoi të shtunën një autorizim përdorimi urgjent për koktejin e antitrupave të Regeneron për të trajtuar sëmundjen e COVID-19 tek pacientët me rrezik të lartë.

Sipas CNN, përcjell Telegrafi, presidenti amerikan, Donald Trump, e mori këtë terapi të quajtur REGEN-COV2, gjatë kohës kur u shtrua në spital për shkak të coronavirusit.

Trajtimi duhet të futet në qarkullimin e gjakut dhe ka për qëllim të “imitojë” një përgjigje imune ndaj infeksionit.

“Kokteji i antitrupave uli hospitalizimet nga COVID-19 si dhe vizitat në dhomat e urgjencës në disa pacientë brenda 28 ditëve”, tha FDA në një njoftim për shtyp.

Shefi ekzekutiv i Regeneron, Leonard S. Schleifer, tha në një deklaratë se kërkesa fillimisht mund të tejkalojë furnizimin, duke e bërë edhe më kritike që qeveritë federale dhe shtetërore të sigurohen që REGEN-COV2 të shpërndahet në mënyrë të drejtë dhe të barabartë për pacientët më në nevojë.

Ndryshe, autorizimi i përdorimit emergjent (EUA), është një autorizim më i ulët se sa aprovimi i plotë nga FDA. Ky autorizim lejon që produktet të përdoren në rrethana të veçanta para se të gjitha provat të jenë në dispozicion për aprovim. /Telegrafi/