Site icon Telegrafi

Kokën lart, e ardhmja është e Kosovës !

Në një atmosferë impozante para 17 mijë shikuesve filloi takimi në stadiumin “Adem Jashari”, ku për dallim nga sfida e parë historike ndaj Haitit, tani dielli shoqëroi këtë takim interesant nga fillimi.

Kryetrajneri Bunjaku ishte me disa mungesa të rëndësishme si Besart Celina dhe Ilir Azemi, por ai startoi me Rashkajn në mesfushë si kapiten, teksa Albert Bunjaku e udhëhoqi sulmin e Kosovës.

Turqia vendosi që të startonte ndeshjen me lojtarë që nuk janë standard, por luajnë kryesisht në Ligën e Dytë të Turqisë. Nuri Sahin dhe Burak Yilmaz nuk u inkuadruan nga fillimi.

Përkundër faktit se Turqia nuk filloi me përbërjen më të fortë, ata arritën që të realizojnë në minutën e parë të takimit.

Ahmet Ozek ishte ai që shfrytëzoi një top të mirë për të në zonë, duk shfrytëzuar hutinë e mbrojtjes së Kosovës. Me një goditje precize Ozek e zhbllokoi rezultatin pas minutës së parë (1′).

Në vazhdim stadiumi u hesht dhe nuk pati aktivitet, me skuadrën tonë që vështirë se mundi të depërtonte në mbrojtjen e Turqisë, që doli larg më e përgatitur për këtë ndeshje se Kosova.

Në minutën e 26-të Turqia ishte pranë golit me një goditje nga distanca, por Kushtrim Mushica u tregua i sakt, ashtu sikurse në dy -tri mundësitë e tjera që i ndali.

Por, Mushica nuk u tregua i vëmendshëm në minutën e 34, ku Kisa me një eurogol nga distanca realizoi për 2-0 dhe epërsinë e dyfishtë të Turqisë.

Kur të gjitë menduan se ndeshja përfundoi, tifozëve shpresën dhe gëzimin ua ktheu Albert Bunjaku (35′), i cili shfrytëzoi një aksion të mirë ku u befasua mbrojtja turke, për të realizuar për 1-2. Ishte ky goli i parë i përfaqësueses së Kosovës në histori që prej zhvillimitë të ndeshjeve miqësore ndërkombëtare.

Kosova provoi që me disa kundërsulme të realizojë, pasi edhe publiku edhe zemra e lojtarëve u kthyen dhe ndeshja u hap ndjeshëm.

Pjesa e dytë u mendua të jetë në favor të Kosovës me një përmbysje sensacionale të rezultatit, por në fakt ishte Turqia që nuk lejoi befasi.

Sahan ai që u inkuadrua në lojë në fillim të pjesës së dytë, ishte ai që realizoi në minutën e 49-të me një eurogol për 3-1.

Pas pak minutash ishte Pektemek ai që nga afërsia realizoi për 4-1 (54′), duke i hedhur poshtë të gjitha gjasat e Kosovës.

Kosova ishte pa asnjë gjasë në pjesën e dytë, ku si duket Fatih Terim e shtrëngoi ekipin e tij dhe kërkoi të bënte presion, dhe ia arriti me sukses.

Në minutën e 70-të ishte Pektemek ai që realizoi me kokë për 5-1, me ç’rast edhe u dit fituesi i këtij takimi.

Në vazhdim Turqia vazhdoi të aplikonte lojën e saj me dominim, teksa Kosova nuk arriti që të depërtonte e të shënonte ndonjë gol tjetër.

Tifozët zbrazën stadiumin shumë minuta para përfundimit të takimit, por kjo nuk duhej të ndodhte.

Në minutën e 87-të ishte Potuk ai që realizoi nga penaltia për 6-1, teksa Turqia në fund realizoi edhe një gol që u anulua.

Edhe pse me rezultat 6-1, kjo humbje si e tillë ka pak vlerë, pasi vlerë ka niveli i organizimit të ksaj ndeshje e cila edhe një herë ishte nderkombëtare dhe i vërtetoi botës se pse duhet të jemi të ndërkombëtarizuar.

Kosova duhet të shtojë përgatitjet para ndeshjes që zhvillohet pas tri ditësh ndaj Senegalit në Gjenevë të Zvicrës. /Telegrafi/


 

Formacioni i Kosovës (4-4-2): Mushica, Curri, Alushi, Rexhpei, Hetemaj, Nushi, Raskaj, Perdedaj, Toski, Rexhepi, Bunjaku.

 

Formacioni i Turqisë (4-4-2): Babacan, Camdal, Demirok, Tufan, Dogan, Karabulut, Kisa, Potuk, Ozek, Buyuk, Pektemek.
 

 

/Telegrafi/

Exit mobile version