Ish-deputeti Koço Kokëdhima, tregon në “Xing me Ermalin” se si e ka bërë milionin e tij të parë. Sipas tij, e ka shfrytëzuar momentin e përmbysjes së komunizmit.
“U bëra privat që ditë e parë që mund të bëheshe. Ditën e parë e dekretoi presidenti i asaj kohe, të nesërmen unë nuk shkova më në punë shteti dhe dola privat. Kërkova një kredi dhe atëherë kredi ishte fjalë shumë e keqe. Nuk kërkohej as kolateral, asgjë. Unë mora një milionë lekë të reja, që ishin 100 mijë dollarë – sepse me 10 lekë ishte dollari. E mora kredinë për një vit dhe e ktheva më shpejt se një vit. Pasi mora paratë, ua shpërndava 10 bashkëpunëtorëve të mi dhe u thashë që duhet t’i prishni sa më parë këto lekë, duke blerë çdo gjë materiale që ka një çmim, që çfarë të gjeni blijeni”, ka thënë ai.
Më tej politikani shpjegon bashkëpunëtorët mbushën një magazinë me materiale.
“Ata blenë dru zjarri, kuzhineta, gurë, pjesë këmbimi dhe i futën në një magazinë të madhe me mallra. Ne e mbyllëm magazinën dhe pritëm. Për një periudhë prej shtatë-tetë muajsh dollari shkoi nga 1 me 10 lekë në 1 me 125 lekë. Çmimet e produkteve shkuan nga 100-fish deri në 800-fish. Kështu, fituam një milion dollarë neto dhe çfarë mbeti u la si mjet xhiroje për ndërmarrjen. Shfrytëzova inflacionin dhe rritjen e çmimeve të mallrave”, shpjegoi ai. /mapo/