Site icon Telegrafi

Kokëdhima: Dëshpëruese që Shqipëria nuk ka një strategji për kanabisin

Politikani dhe botuesi Koço Kokëdhima u shpreh se është dëshpëruese që Shqipëria nuk ka ende një strategji dhe vizion për ekonominë e kanabisit dhe të ardhmen e kësaj ekonomie ilegale.

Duke iu rikthyer propozimit të gati dy viteve më parë kur kërkoi në Kuvend legalizimin e kanabisit mjekësor dhe rishikimin e Kodit Penal për dënimin e përdoruesve, në një intervistë për emisionin “Top Show”, Kokëdhima tha se vendi duhet të ndjekë politikën e vendeve të rajonit dhe të botës për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore si dhe të marrin fund dënimet absurde për përdoruesit e drogës së lehtë.

Alban Dudushi: Vazhdoni ende të mendoni si në 2014-n, si në nëntorin e 2014-s, që duhet legalizuar kanabisi në vendintonë?

Koço Kokëdhima: Vazhdoj të mendoj si në 2014-n, se është dëshpëruese që Shqipëria nuk ka një strategji dhe vizion për të zgjidhur problemin në kompleksitetin e tij, që lidhen me kanabisin dhe me të ardhmen e kësaj ekonomie ilegale në Shqipëri.

Alban Dudushi: Keni bërë një deklaratë për Lazaratin, flas gjithmonë dy vjet më parë, kur nga ana e policisë po bëhej lufta për ta pastruar Lazaratin nga harta e kultivimit të drogës. Atëherë kishte një debat të fortë lidhur me këtë. Ju deklaruat: “Po mbyllni Lazaratin, por do t’ju shpërthejë në të gjithë Shqipërinë”.Pse menduat këtë?

Koço Kokëdhima: Përpara se të përgjigjem për pyetjen tuaj, dua të bëj dy sqarime që i kam bërë gjithmonë kur kemi bërë debate dhe diskutime për çështjen e kanabisit. Sqarimi i parë ka lidhje me vlerësimin tim për marrëdhënien që duhet të kenë individët me ligjin. Gjithmonë i
kam ftuar qytetarët e Shqipërisë, që të mos e sfidojnë ligjin. Kur diskutojmë për kanabisin gjithmonë kam parasysh se diskutojmë për një projekt, i cili duhet të implementohet përmes ligjeve dhe nuk diskutojmë këtu për të bërë gjoja sikur duam ose sikur përligjim gjithë atë paligjshmëri që zhvillohet anëekënd. Prandaj këtë keqkuptim gjithmonë e kam shpjeguar, se unë flas këtu për projektet që kanë të bëjnë me ligjin dhe jo për shkeljet dhe sfidimet e ligjit. Së dyti, dua që studion tuaj ta përdor që të theksoj edhe njëherë, një ndjeshmëri tjetër shumë të lartë që unë kam në mënyrë të përhershme. Mendoj se është një gjë shumë e vështirë për të gjithë njerëzit, por veçanërisht për të rinjtë, që të provojnë varësi nga lëndët narkotike. Është një gjë shkatërruese për karrierën, për shëndetin dhe për jetën e tyre. Kështu që këto dy ndjeshmëri i kam gjithmonë dhe dëshiroj gjithmonë t’i vë në dukje.

Alban Dudushi: Megjithatë je për legalizim?

Koço Kokëdhima: Unë kam shpjeguar qartësisht çështjet që nënkuptoja në situatën në të cilën ndodheshim. Së pari, kam kërkuar që kur ndërmarrim një iniciativë dhe një aksion të madh siç ishte aksioni i Lazaratit, të mendojmë më larg se sa tre dhe pesë muaj. Të mendojmë të gjitha efektet dhe ta analizojmë problemin në kompleksitetin e vet. Në atë mbledhje të Komisionit të Ekonomisë që ju prezantuat këtu, e unë kam bërë shpjegime të qarta, duke theksuar se fshatarët nuk janë kriminelë edhe pse shkelnin ligjin. Dhe me këtë rast dua të them edhe njëherë, se shumica e njerëzve të thjeshtë që përfshihen në këtë veprimtari antiligjore, e bëjnë këtë sepse s’kanë alternativa të tjera për të jetuar. Asnjë gjë nuk është më ofenduese dhe më e vështirë se sa varfëria dhe skamja ekstreme. Një njeri në skamje e në varfëri ekstreme është i gatshëm të sfidojë ligjet dhe të marrë përsipër rrisqet që në kushte normale askush nuk dëshiron t’i marrë. Kur ne mendojmë që të mbyllim një ekonomi duhet të mendojmë si do ta kompensojmë këtë boshllëk që krijojmë. Ne kemi pasur në gusht-shtator të vitit 2014, një proces konsultimi të gjerë me fermerët dhe blegtorët e qarkut të Vlorës, që u finalizua me disa diskutime në qendër me drejtuesit e institucioneve dhe dikastereve që kishin lidhje me bujqit dhe fermerët. Dhe çfarë u diskutua? Ose t’u japim bujqve mbështetje reale, ose të pranojmë se është një retorikë boshe, është një gjë e pavërtetë, ajo që ne predikojmë se ekonomia në fshat mbetet një mundësi jetese për fshatarët, po nuk e mbështetëm këtë ekonomi. Në shtator 2014 u tha se Shqipëria do të bënte një kërcim të madh. Nga 15 milionë dollarë subvencione dhe investime që bënte në bujqësi, do të kalonte me 150 milionë dollarë. Dhe kjo gjë do ta vendoste Shqipërinë në një pozitë të krahasueshme me Maqedoninë, e cila subvenciononte bujqësinë me 150 milionë euro në vit. Kjo shifër prej 150 milionë dollarë ishte një progres shumë optimist. Kur erdhi projekt buxheti në Komisionin e Ekonomisë, në 24 nëntor, doli se investimet në bujqësi ishin 6 milionë dollarë, një shifër shumë modeste. Edhe subvecionet ishin si më përpara. Unë kam pyetur përfaqësuesin e qeverisë, ministrin e bujqësisë dhe i kam thënë “si do t’i ndihmosh fshatarët të përballojnë jetën e tyre në fshat, me një ekonomi që t’u mundësojë atyre të paguajnë faturat e jetës?”

Alban Dudushi: Fushat e mbjella janë shtuar, pemëtaria është shtuar.

Koço Kokëdhima: Të lutem, po flasim për kontekstin e asaj deklarate. Në qoftë se ne heqim 2 apo 3 miliardë dollarë nga qarkullimi ekonomik një shifër me rëndësi, sigurisht që kemi përgjegjësi të mendojmë si do ta zëvendësojmë këtë shifër. Prandaj, po në këtë mbledhje, unë e kam shtruar me forcë që për këtë drogë që ne eliminojmë nga tregjet evropiane duhet të negociohet me BE-në dhe duhet të kërkohet mbështetje, grante, që ne të bëjmë të paktën vaditjen, kullimin, mbrojtjen e bimëve dhe subvencionet për fshatarët, me qëllim që ata të kenë mundësi të ngrenë një ekonomi në fshat. Ky ishte konteksti i atij takimi që ju prezantuat dhe doja që ta kishim të qartë atë kontekst në të cilin bëhej ai diskutim, prandaj edhe e bëra këtë sqarim për ato rrethana.

Mira Kazhani: Z. Kokëdhima, kur thoni që kjo do ta përmirësojë jetën e fshatarëve, çfarë nënkuptoni?

Koço Kokëdhima: Shpjegova kontekstin e atij inserti atje, ndërkohë që për kanabisin unë kam shtruar disa çështje. Çështja e parë është reformimi dhe ndryshimi i plotë i legjislacionit penal. Është më shumë se cinike dhe është çnjerëzore që sot e kësaj ditë, në këtë realitet që ka Shqipëria, ne vazhdojmë të fusim në burgje të rinj e të reja, duke i dënuar nga 4 e 5 vjet burg sepse përdorin, pinë hashash, dhe dënohen përdoruesit e hashashit si të ishin trafikantë. Pashë një ditë, kronikat e shtypit për një këngëtare që qe kapur në doganë me tre katër cigare hashash. E bënin këtë si një histori shumë të madhe kriminale. Janë sjellje tërësisht të papranueshme për kohën në të cilën jetojmë. E kam përmendur edhe njëherë tjetër rastin e një maturanteje që shkoi në Sarandë për festën e maturës, u kap me cigare hashashi, për herë të parë provonte këtë eksperiencë dhe u dënua 3.8 vite burg, ndërkohë që duhej të shkonte në universitet. Çfarë krimi kishte bërë Mihali, që fatmirësisht doli nga burgu dhe tani jeton në gjendje normale pranë familjes së vet në Greqi? Ai ishte vetëm një përdoruese hashashi! Dhe ne vazhdojmë akoma sot me këto dënime shkatërrimtare, ndërkohë që duhet t’i japim fund kësaj historie. Duhet të bëjmë një amnisti të plotë, për të gjithë përdoruesit e hashashit dhe për të gjithë këta kultivuesit e thjeshtë, individualë, që mbjellin nga dy e nga pesë rrënjë, të cilët përballojnë burgime të rënda dhe të gjithë këtyre të rinjve dhe të rejave t’u jepen shanse për jetën. Çfarë u japim këtyre të rinjve ne që i çojmë nëpër burgje? U japim mundësi të bëhen njerëz të zotë për veten? Apo i vendosim në një rrugë kriminale dhe ua shkatërrojmë jetën që në fillimet e tyre.

Alban Dudushi: Mirë, ti po thua që ne të bëjmë një amnisti për këta, këta të vazhdojnë ta përdorin hashashin? Se normalisht kush e ka nisur do ta përdorë, aq më tepër që e dekriminalizon këtë histori, dhe për më tepër ku do i çosh që ta blejnë? Do i çosh prapë ta blejnë te ai shpërndarësi i vogël, i cili ndihmon atë kriminelin e madh dhe shet mallin e atij?!

Koço Kokëdhima: Ne themi që nuk i dënojmë përdoruesit, sepse kështu thotë legjislacioni penal i Shqipërisë. Përdoruesit nuk i dënojmë, por këta kualifikohen jo si përdorues nëse kapen me më shumë se 2 gramë, kualifikohen si trafikantë pa patur asnjë provë që këta janë trafikantë dhe u shkatërrojmë jetën atyre dhe familjeve të tyre. Ndërsa ajo që thoni ju, se meqenëse ligji nuk të dënon që ti ta përdorësh marijuanën, atëherë është e drejtë të të jepet edhe një mundësi e ligjëshme ku ta blesh mariuanën. Vetëm një shoqëri e përgjegjshme i jep një përgjigje po të përgjegjshme kësaj situate.

Mira Kazhani: Pse nuk e ka bërë gjithë bota këtë z. Kokëdhima, legalizimin e kanabisit?

Koço Kokëdhima: Shqipëria ka legjislacionin më të ashpër në Evropë dhe Amerikë për këtë çështje. Nuk ka asnjë vend tjetër evropian legjislacionin që kemi ne për përdoruesit, për ndëshkim e tyre. Së dyti ka një trend kultura dhe legjislacioni i vendeve evropiane e më gjerë. Nga viti në vit këto vende shkojnë drejt dekriminalizmit të përdorimit të mariuanës. Nuk ndodh në një vend evropian të marrësh një studente apo një nxënëse apo një të ri dhe ta çosh në burg 3 e 4 vite për histori të tilla. Nuk bën vaki në një vend të qytetëruar një histori e tillë si këto që bëjnë vaki në Shqipëri.

Evropa dhe Amerika, me kanabis farmaceutik legal

Arjon Sulo: A nuk ju duket një luftë e kotë dhe ç’qëndrim keni marrë nga partia juaj, nga qeveria, nga z.Rama për këtë temë?

Koço Kokëdhima: Ta mbyllim këtë çështjen e parë të dekriminalizimit. Besoj që gjithë shoqëria jonë duhet që të ndihmojë dhe të përfshihet plotësisht në zgjidhjen e kësaj situatë absurde. Në një vend si ky i yni, i mbushur me kanabis, ku trafikimi është një gjë kaq masive, është më shumë se cinizëm të marrim më qafë njerëz dhe të vazhdojmë të mbajmë nëpër burgje djem e vajza, të cilët meritojnë një shans për të jetuar dhe meritojnë një shans të dytë për të ndjekur karrierën dhe për të ndërtuar të ardhmen e tyre. Duhet t’i ndihmojmë edhe familjet e tyre, të cilat janë në situata shumë të vështira për shkak të këtyre ndodhive që kanë. Propozimi im i dytë ka qenë ky: Të legalizohet kanabisi farmaceutik. Kanabisi ka veti të mrekullueshme kurative, është një bimë me shumë dhunti të Zotit në këtë drejtim. Është plotësisht e vërtetë se 170 sëmundje mjekohen në mënyrë efektive me nënproduktet e kanabisit ndërkohë që ka shumë sëmundje që nuk kanë mjekim alternativ dhe ne akoma sot e kësaj dite bëjmë sikur s’dëgjojmë, bëjmë sikur s’kuptojmë, dhe bëjmë sikur s’kemi përgjegjësi. Të gjithë vendet e tjera, edhe vendet që rrethojnë Shqipërinë, kanë adoptuar strategji të qarta në këtë drejtim. S’ka një shtet afër nesh, siç nuk ka sot në botën e qytetëruar shtete të rëndësishme që nuk kanë një strategji të qartë për progresin e legjislacionit në këtë drejtim.

Alban Dudushi: Të kanabisit për përdorim farmaceutik?

Koço Kokëdhima: Sigurisht. Ja ku e ke Kroacinë që e ka zgjidhur problemin. Ja ku e ke Maqedoninë që i ka dhënë zgjidhje problemit. Ja ku e ke Evropën që i ka dhënë zgjidhje problemit. Është e gjithë Evropa, me kanabis farmaceutik legal. Është e gjithë Amerika, me kanabis farmaceutik legal. Ndërsa ne sot duhet ta diskriminojmë një të sëmurë që ka nevojë jetike për nënprodukte të kanabisit, duhet t’i themi ik nga Shqipëria që të marrësh atë vajin apo kurën që të nevojitet, sepse ne nuk duam t’ia dimë për këto të drejta elementare njerëzore. Si do të ndalohet kjo gjë? Thjesht vonohet në mënyrë të paarsyeshme, sepse s’do askush, të merret me këtë çështje këtu tek ne. Por kjo është një e drejtë elementare dhe si e tillë patjetër që do të gjejë zgjidhje. Nuk e pengon dot njeri.

Alban Dudushi: Nuk ka ambient, është një luftë e kotë sepse aty ku prodhohen ligjet aty ku merren iniciativat ka një ambient i cili është një mur gome që ju i bini dhe ju kthen mbrapsht.

Koço Kokëdhima: Kjo gjë duhet jo atje ku ka ambient, por atje ku ka njerëz të gjallë. Shqipëria ka njerëz dhe do ketë edhe në të ardhmen njerëz. Kudo ku ka njerëz të gjallë, kjo është një çështje që s’mund të anashkalohet, sepse këta njerëz të gjallë kanë nevojë për këto mjekime, kanë nevojë për këto medikamente, kanë nevojë për këto të drejta që t’u plotësohen. Nuk është e drejtë dhe nuk është normale, që Shqipëria të vazhdojë t’i iki kësaj përgjegjësie që ka ndaj qytetarëve të vet. Përveç kësaj, kjo është edhe ekonomi. Është gjithë kjo farmaceutikë, e cila është një ekonomi e madhe dhe e rëndësishme në botë. Pse duhet t’i rrimë jashtë kësaj ekonomie ne?! Ne, si vend që prodhojmë kanabis të famshëm në Evropë, duhet ta importojmë vajin e kanabisit, kur mund ta bëjmë shumë mirë vetë?!

Alban Dudushi: Pra jemi te legalizimi i kultivimit?

Koço Kokëdhima: Sigurisht, të kanabisit për produkte farmaceutike.

Arjon Sulo: Si do të rregullohet?

Koço Kokëdhima: Si do të rregullohet është pyetje teknike, diskutimi jonë është politik. Si do ta rregullosh? Një përgjigje është kjo: Rregulloje siç e kanë rregulluar 100 shtete në Evropë, Amerikë e gjetkë.

Arjon Sulo: Kur u thua njerëzve “do ta mbjellim për farmaceutikë”, e marrin që një figurë e rëndësishme e mazhorancës thotë që ne të mbjellim të gjithë.

Koço Kokëdhima: Jo s’është kështu. E kam shpjeguar qartësisht.

Arjon Sulo: Kush do ti që ta mbjellë, kush do jetë përgjegjës për mbjelljen?

Koço Kokëdhima: Këto pyetje që bëni ju, janë pyetje shumë teknike, shumë anësore, shumë jopolitike. Teknikisht ka shumë mënyra për ta zgjidhur një gjë dhe teknikisht është përgjegjëse qeveria ta zgjidhë këtë çështje. Qeveria, dikasteret, grupet e projekteve.

Arjon Sulo: Unë them vizioni. Do të jenë kompani farmaceutike? Do të jenë biznesmenë shqiptarë? Do të jenë fshatarë shqiptarë?

Koço Kokëdhima: Vizioni është shumë i qartë zotëri. Unë e kam shpjeguar gjithmonë. Duhet ndërtuar kontrolli i shtetit mbi ekonominë e kanabisit. Tani mënyrat për t’i zgjidhur këto janë të shumta. Përvoja bota ka shumë. Ti mund të zgjedhësh një përvojë, mund të zgjedhësh një tjetër, kjo është çështje ekspertize dhe vullneti. Tani ju thoni që ta importojmë ne kanabisin, ndërkohë që unë them që kanabisin farmaceutik ta prodhojmë vetë dhe ta legalizojmë, ta lejojmë që të jetë në farmaci. Dhe ai që është i sëmurë të shkojë në farmaci, të
marrë ilaçin që ka nevojë dhe të shkojë në shtëpinë e tij si njeri, jo që të ndihet se po shkon policia ta arrestojë, sepse ka marrë një shishe me vaj kanabisi.

Exit mobile version