Site icon Telegrafi

Kokëçarje të reja për Koeman, Pedri dhe Alba i shtohen listës së të lënduarve te Barca

(Foto: Marca)

Pedri dhe Jordi Alba i janë shtuar krizës së lëndimeve te Barcelona, pas humbjes së të martës mbrëma nga Bayern Munichu në Ligën e Kampionëve.

Blaugranët pësuan me rezultat 3-0 në Camp Nou në sfidën e vlefshme për raundin e parë në Grupin E, ndërsa lajmet për Ronald Koeman nuk janë aspak të mira.

Ansu Fati, Sergino Dest, Sergio Aguero, Martin Braithwaite e Ousmane Dembele – nuk ishin në dispozicion për shkak të lëndimeve respektive, ndërsa tashmë në këtë listë janë shtuar edhe dy lojtarë të tjerë.

(Foto: The Athletic)

Përmes një komunikate për shtyp, Barca ka njoftuar se Pedri ka pasur shqetësime në kofshën e majtë pas 90 minutave të luajtura kundër Bayernit.

Në anën tjetër, Alba ka pësuar lëndim në kofshën e djathtë gjatë lojës, me ç’rast në minutën e 74 e lëshoi fushën.

Dy futbollistët janë në dyshim të madh për takimin e të hënës kundër Granadas, ndërsa nuk dihet kohëzgjatja eventuale e mungesës së tyre. /Telegrafi/

Exit mobile version