Policia e Shtetit njoftoi sot se ka vijuar operacioni policor antidrogë i koduar “Tranziti”, gjatë të cilit, mbrëmjen e djeshme, policia sekuestroi 45.5 kg lëndë të dyshuar narkotike kokainë në një kontenier në Portin e Durrësit.
Pas hetimeve të thelluara nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, në bashkëpunim me strukturat përkatëse në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, vihen në pranga administratori i kompanisë, A. F., 30 vjeç, banues në Prishtinë, dhe një agjent doganor i kontraktuar nga kjo kompani, E. V., 39 vjeç, banues në Tiranë.
Mbrëmjen e djeshme, në Portin e Durrësit, Task Forca e cila përbëhet nga Policia Kriminale e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Policia Kufitare e Portit të Durrësit dhe nga autoritetet doganore të Portit, në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale të tentativës për trafikim të drogave të forta, si rezultat i kontrolleve të shtuara, bazuar edhe në analizën e riskut dhe në bazë të dyshimeve të krijuara nga kjo Task Forcë, bazuar në informacionet që dispononte Policia Kriminale e DVP Durrës, ka ushtruar kontroll të detajuar në një kontenier të ngarkuar me mish pule, që ishte nisur tranzit nga Brazili, për llogari të një subjekti tregtar në Maqedoninë e Veriut.
Si rezultat i kontrollit të imtësishëm të ushtruar në kontenier, në brendësi të ngarkesës me mish pule u gjetën 40 pako me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, me peshë 45 kg e 500 gramë.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë. /Telegrafi/