Fjalimi në Mitrovicë, i paralajmëruar si historik, ishte hap i parë i madh për presidentin e Serbisë. Ai ishte historik mbase, gjithsesi jo histerik, por mbetet të shihet cila do të jetë për vet serbët, rëndësia dhe pasojat e kësaj fjale të qëndisur urti e me emocione, për aq sa këto mund të paketohen në një pako. Presidenti i sotëm serb, dikur, si djalë i ri, ishte shef i agjitpropit, pranë ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviq, i cili në fillim të luftës në Ballkan, i pat mbledhur rreth një milion serb në Gazimestan, të Kosovës.
Gjithsesi, numri i qytetarëve të mbledhur në veri të Mitrovicës, për të dëgjuar fjalën e urtë të presidentit të “tyre” nuk ishte impozant, krahasuar me Gazimestanin. Përkrahja serbe, nëse numrat kanë kuptimin e përkrahjes, ishte dëshpëruese. Kështu ndodhë, mbase kur prek paradigmën…! Presidenti serb u mor me qëllimet. Pastaj, e shau të kaluarën dhe këndoi himne për të ardhmen e ndritur.
Falë Zotit, presidenti serb Aleksandar Vuçiq, me urtinë e tij, nuk gropoi varre në Mitrovicë, edhe pse as rruga e shtruar me qëllimet e mira të tij, nuk dihet se ku përfundon. Duke mos harruar se ishte pjesë e së kaluarës, kundër të cilës po fliste fuqishëm, ai retushoi një pjesë të saj, sidomos atë që ka të bëjë me qëllimet e nacionalizmit serb, të viteve 90-ta të shekullit të kaluar.
Nuk i mohoi rezultatet e luftërave në Ballkan, për të cilat tha se ishin katastrofë për serbët. Nuk foli as për kufijtë, as për këmbim territoresh, për të cilat po grindet me të gjithë presidenti i Kosovës, por tha se askush nuk e din ku janë kufijtë e Serbisë. Pra, as territoret! Rrjedhimisht, duhet biseduar për kufijtë dhe territoret. Ai foli vetëm, drejtpërdrejtë, vetëm për të drejtat e serbëve, për të cilat tha se do të angazhohet që ato të jenë në nivelin e vendeve të civilizuara evropiane.
Kështu, sipas shpjegimit të historisë, nga ana e presidentit serb, “burrështetasi i madh dhe qëllimmirë” Millosheviq e kishte humbur luftën, jo nga fqinjët, por ngase ishte përfshi në luftë një fuqi më e madhe, shumë më e madhe se Serbia e asaj kohe. Në këtë luftë Serbia kishte humbur aq shumë njerëz sa nuk do të mund të e kompensoj këtë humbje në dy shekujt e ardhshëm. Shto kësaj edhe murtajën e bardhë, gjendja e Serbisë është alarmante dhe kërkon ndërrim politike.
Ai u mor me qëllimet e mira dhe me rezultatet e këqija, dhe la idenë dhe shpresën për serbët, sidomos ata të Kosovës se duke u angazhuar për të njëjtat qëllime, por duke ndërruar metodat dhe mjetet, edhe rezultatet do të jenë krejt të tjera. Nëse bashkëpunojnë me të fortin, Serbia sipas tij do të jetë sërish superfuqia e Ballkanit.
Kur jemi te qëllimet, thuhet se rruga për në ferr është e shtruar me qëllime të mira. Deklarata e presidentit serb për qëllimet e mira të ish presidentit Millosheviq, mund të mos jetë kuptuar qysh duhet, sidomos nëse presidenti Vuçiq, me fjalën e tij historike, synonte të ndërronte paradigmën serbe për veten, fqinjët, Evropën, luftën, paqen, të ardhmen. Kjo gjithsesi nuk mund të arrihet përmes rrugëve racionale, por vetëm përmes asaj emocionale.
Duke e ditur se ish-presidenti serb ka ende shumë adhurues ndër serbët e Kosovës, synimi i Vuçiqit mund të ketë qenë identifikimi emocional dhe dallimi racional me të, duke synuar të ndërtojë me këtë energji, rrugën e tij drejt Evropës. Presidenti serb, me këtë fjalë, u drejtohej jo vetëm serbëve në Kosovë, por edhe kundërshtarëve të vet në Beograd. Ai i dërgonte mesazhe edhe Evropës, ndërkohë që me shqiptarët ai flet, vetëm përmes homologut të tij, për të cilin thotë se “natyrshëm, nuk më do, dhe as nuk e dua”!
Pohimi i tij se Millosheviqi ishte një burrë shteti i madh dhe se kishte qëllime të mira, është vështirë të (keq)kuptohet nëse nuk i vesh çizmet e tij. Pra, kur nuk kuptohet, zakonisht keqkuptohet.
Duke debatuar kështu për “qëllimet e mira” të Millosheviqit, vlen të kujtohet fakti se ai në fund të karrierës së tij, i ndodhur prapa grilave të burgut të Hagës, nuk e priti vendimin e gjykatës ndërkombëtare e cila po debatonte për të (pa)bëmat e tij dhe të vartësve të tij. Me vdekjen e “parakohshme” të njeriut “qëllimmirë” i cili veshi në të zeza jo vetëm nënat nëpër vendet e Ballkanit, por edhe nënat serbe, gjykata ndërkombëtare mbeti pa mundësinë që të e “dekoroj” këtë “burrë shteti të madh dhe qëllimmirë” me titullin e kriminelit për krimet kundër njerëzimit. Derisa nuk kemi një verdikt gjykate për të, gjithkush mund të spekuloj për qëllimet e tij të mira dhe “madhështinë” e tij.
Duke pohuar se ish lideri serb Millosheviq kishte qëllime të mira, por se u ndesh me më të fortë se vetja, presidenti aktual serb e vë në dyshim edhe qëllimin e vet të mirë, dhe rrjedhimisht edhe fjalët e tij të urta për pajtim, të cilat po ushtonin nga Mitrovica e ndarë. Rruga evropiane e Serbisë vështirë se mund të hapet duke ringjallur një sistem të njëjtë vlerash, dhe ambicie rajonale të njëjta, të cilat e quan Ballkanin në luftë viteve të ‘90-ta.
Fjalët e presidentit serb, mund të tingëllojnë të urta, për shumë kë, e sidomos për Evropën, por atë e tradhtoi zemra djaloshare që rrihte fuqishëm në gjoksin e tij derisa ai po fliste për të ardhmen. Është ky presidenti i sotëm pro evropian apo djaloshi që i binte burisë së agjitpropit të luftës, kur ishte me shefin e vet “qëllimmirë”? Cilën rrugë do e shtrojnë qëllimet e mira të presidentit aktual serb, ato të njëjtat të cilat e udhëhiqnin edhe presidentin e dikurshëm Millosheviq apo ky ka qëllime të tjera, të mira gjithsesi?
Duke marrë, sërish iniciativën në Ballkanin perëndimor, ku na qon rruga e shtruar me qëllimet e tij të mira? Në ferr apo në parajsë? Nga foltoret, falë Zotit, luftën po e përjashtojnë të gjithë, përfshi edhe ata që e kanë profesion e madje edhe interes. Të gjithë flasin për paqe dhe dialog…!