Telegrafi

Koka e ndarë nga trupi, identifikohet viktima e gjetur në Sarandë

Autoritetet shqiptare kanë arritur të identifikojnë trupin e pajetë të gjetur të dekompozuar dhe të ndarë në dy pjesë në fshatin Xarrë në Sarandë.

Trupi i përket shtetasit A.J. 53 vjeç nga Elbasani i cili punonte si bari në Xarrë.

Identifikimi u krye nga mjekësia ligjore por edhe pas hetimit nga policia e Sarandës. 53-vjeçari kishte rreth 2-3 muaj që ishte zhdukur. Për këtë ishin interesuar edhe familjarë të tij.

Nga hetimi nuk konstatohen shenja goditjeje me mjete te forta apo plumbi ku për pasojë t’i kishte ardhur vdekja.

Lexo po ashtu Dje u gjet një kokë njeriu e groposur në Sarandë, sot gjendet trupi

Vendi ku u gjet trupi i tij, fillimisht koka dhe pastaj trupi i dekompozuar por i pa groposur u gjet i fshehur në një tunel me gjerësi rreth 1 m dhe gjatësi 3-4m. Madje tek vendi ku u gjet kufoma kishte ende erë të rëndë dekompozimi. Sipas burimeve mësohet se vdekja mund të ketë qenë për shkaqe natyrale.

Fillimisht u dyshua se kufoma mund t’i përkiste njerit prej të zhdukurve në 7 prill të këtij viti, Leonard Thodhori dhe Fatmir Sulovari.

Identifikimi i kufomës që i përket 53-vjeçarit nga Elbasani, shton edhe më tepër shqetësimet e familjeve Thodhori e Sulovari që prej 8 muajsh nuk kanë asnjë informacion për jetën e njerëzve të tyre. /Telegrafi/