Nga: Mario Vargas Llosa (botuar në ditoren “La Nacion” të Argjentinës, më 13 prill 1999)
Përktheu: Bajram Karabolli
NATO nuk duhet qortuar fare për ndërhyrjen e tij në Jugosllavi; përkundrazi duhet qortuar që këtë e bëri me dhjetë vjet vonesë dhe që e kishte përjashtuar gjithë aksionin ushtarak tokësor atje, gjë që i dha dritë të gjelbër diktaturës së Beogradit për të vënë në jetë planin e saj për pastrimin etnik të Kosovës, një nga krimet më të tmerrshme kundër njerëzimit të këtij shekulli, i krahasueshëm për nga natyra, edhe pse jo për nga numri, me holokaustin hebre kryer nga Hitleri apo me shpërnguljen e popujve që ndërmori Stalini gjatë rusifikimit të Bashkimit Sovjetik.
Siç ka shkruar edhe Alain Finkielkraut, lufta e Kosovës filloi në 1989, kur Sllobodan Millosheviqi, duke nisur fushatën frenetike të dalldisë nacionaliste serbe, të cilën e nxiti të arrinte shkallën absolute (dhe, njëherazi, përshpejtoi shpërbërjen e Federatës jugosllave), shfuqizoi statusin e autonomisë të kësaj province, u ndaloi kosovarëve shkollimin në gjuhën e tyre shqipe, gjithë përfaqësimet publike dhe, megjithëse ata përbëjnë më shumë se nëntëdhjetë për qind të popullsisë, i ktheu në qytetarë të dorës së dytë, krahasuar me pjesën tjetër të popullsisë, me minorancën serbe.
Në qoftë se vendet perëndimore do të kishin mbështetur qysh në ato momente demokratët në Jugosllavi që po rezistonin aparatçikun e fuqishëm, duke i ndihmuar për t’i dhënë fund karrierës politike të atij njeriu i cili, për të konsoliduar pushtetin, e zëvendësoi ideologjinë e tij marksiste me nacionalizmin dhe provokoi sllovenët, kroatët, boshnjakët dhe kosovarët me kërcënimin e një hegjemonie serbe mbi gjithë Federatën, në atë klimë përçarjeje dhe ksenofobie, për të penguar demokratizimin e Jugosllavisë.
Vetëm kështu Evropa do të kishte kursyer dyqind mijë të vrarë në Bosnjë dhe gjithë tmerret që nisën të pësojnë ballkanasit atëherë, përfshi edhe vetë serbët. Problemi nuk është Kosova, siç nuk kishte qenë edhe ai i kulturave të tjera që përbënin Federatën jugosllave – Sllovenia, Bosnja dhe Kroacia – dhe që tani janë republika të pavarura. Problemi ishte diktatura e Millosheviqit, shkaku kryesor i konflikteve etnike dhe i shpërthimit histerik të ndjenjave nacionaliste që ai ndezi në Ballkan. Nëse do të kishte një demokraci në Beograd, ndarja e atyre rajoneve do të ishte bërë paqësisht, siç u bë ndarja midis Sllovakisë dhe Republikës Çeke, e cila u krye pa asnjë të shtënë.
Dhe, ka mundësi që me një regjim demokratik shpërbërja e Federatës jugosllave nuk do të kishte ndodhur dhe ajo do të kishte mbijetuar brenda një sistemi fleksibël, me bashkekzistencën e kulturave, besimeve dhe traditave të ndryshme, sipas mënyrës së Zvicrës apo Belgjikës.
Tani e kuptojnë se kjo do të kishte qenë zgjidhja më e mençur. Por, atëherë, shumë prej liderëve evropianë të papërgjegjshëm, për të përfituar zona influence politike e ekonomike, e nxitën shpërbërjen e Jugosllavisë, duke ndihmuar dhe armatosur lëvizjet nacionaliste lokale.
Kjo miopi e favorizoi regjimin e Millosheviqit, i cili, i kthyer në simbol të nacionalizmit serb dhe i ndihmuar nga një fushatë demagogjike që e konsideronte viktimë, para Kosovës, mundi të konsumonte një pastrim të vërtetë të brendshëm politikë, duke eliminuar çdo formë opozite dhe kritike. Nuk ka dyshim se bombardimet e NATO-s që vuan populli jugosllav janë në të mirë të Millosheviqit, të cilit tani askush nuk mund t’i kundërvihet në vendin e tij pa qenë i akuzuar për tradhti ndaj Atdheut.
Veç nga ky realitet nuk duhet të nxirren argumentet që vringëllijnë disa “shpirtra të çiltra” kundër ndërhyrjes së NATO-s. Përkundrazi, duhet arritur në përfundimin se qëllimi i kësaj ndërhyrjeje, nëse ajo kërkon t’u japë fund një herë e mirë gjithë spastrimeve etnike dhe krimeve kolektive në Ballkan, është të marrë fund regjimi autoritar i Millosheviqit dhe të vendoset një qeveri lirie dhe legjitime në Beograd.
Koka e hidrës nuk duhet të ngelet më, nuk ka rëndësi se sa tentakula do t’i priten, sepse ato do të riprodhoheshin dhe do të vazhdonin të helmonin Jugosllavinë dhe mjedisin përreth. Kësaj teze i kundërvihen disa zotërinj të cilët Daniel Cohn-Bendit, në një prej artikujve të tij më të mirë për Kosovën që kam lexuar, i quan “sovranistët”. Cilët janë këta?
Disa zotërinj të matur, tepër të respektueshëm ndaj germave të ligjit, për të cilët ndërhyrja e aleatëve në Jugosllavi është një monstruozitet juridik, sepse duke qenë Kosova pjesë përbërëse e atij shteti dhe problemet kosovare një çështje politike e brendshme, komuniteti ndërkombëtar, duke iu sulur një shteti sovran, ka vënë në rrezik tërë normat juridike ndërkombëtare.
Sipas këtij kriteri, në emër të sovranitetit abstrakt, Millosheviqi duhet t’i ketë duart e lira për të pastruar Kosovën përmes vrasjeve dhe dëbimit të dhunshëm të dy milionë kosovarëve, sepse pengojnë planet e tij, gjë që për të tjerët kishte filluar ta bënte para bombardimeve të NATO-s, me të njëjtën bindje me të cilën Hitleri pastronte Evropën prej çifutëve.
Sovraniteti ka disa kufij, dhe në qoftë se një qeveri shkel të drejtat njerëzore më elementare, dhe bën krime kundër njerëzimit me vrasje kolektive dhe politike për spastrime etnike, siç bën Millosheviqi, vendet demokratike – që për fat sot janë edhe më të fuqishmet e më të zhvilluarat – kanë detyrimin që të veprojnë për të ndaluar këto lloj krimesh. Pa dyshim, çdo ndërmarrje e armatosur është e tmerrshme, sepse në të ka viktima të pafajshme.
Ama, një pacifizëm i detyrueshëm favorizon vetëm tiranët dhe fanatikët, të cilët asnjë skrupull i karakterit moral nuk i shmang nga synimet e tyre dhe, në fund, ky pacifizëm shërben vetëm për të vonuar disa aksione luftarake që përfundojnë duke shkaktuar më shumë viktima dhe më tepër rrënime, të cilat u kërkua të shmangeshin me mosveprim.
Në qoftë se Perëndimi demokratik do ta kishte bombarduar Hitlerin kur e kërkoi Çurçilli, do kishte pasur shumë më pak se njëzet milionët e vdekur gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe holokausti nuk do të kishte ndodhur.
Nëse gjatë Luftës së Gjirit presidenti Bush do ta kishte përmbushur detyrën, duke e rrëzuar Sadam Huseinin dhe duke lejuar Irakun të çlirohej prej autoritarizmit, ndoshta edhe në Irak do të kishte ndodhur ajo që ndodhi në Panama pas rrëzimit të tiranisë së Noriegës: vendosja e një regjimi civil që nuk kërcënon banorët e vet, që udhëhiqet nga ligji dhe respekti ndaj lirive publike.
Pa dyshim, nuk është fjala për të nxitur aksionet ushtarake sistematike të demokracive të përparuara kundër gjithë regjimeve autoritare që përhapen në botë. Kjo do të thotë të kërkosh sherr. Për më tepër, nuk mundet që një demokraci të armatoset gjer në dhëmbë për të prodhuar luftë (megjithëse dihet se kështu ka ndodhur në rastet aq të njohura si ato me Gjermaninë dhe Japoninë).
Është fjala për të vendosur një rregull ndërkombëtar ku të kërkohet prej gjithë regjimeve që të respektohen sado pak të drejtat njerëzore, dhe ku shtetet demokratike të vendosin sanksione të ashpra ndaj atyre që marrin nëpër këmbë në mënyrë flagrante këto të drejta me anë persekutimesh fetare, raciale apo etnike, duke vrarë e shpërngulur dhunshëm minoritetet.
Këto sanksione mund të jenë ekonomike apo politike (të tilla kanë pasur sukses në Afrikën e Jugut dhe Haiti), por mund të jenë edhe ushtarake, si në Kosovë, ku bëhet fjalë për të shmangur shfarosjen e një populli të tërë si pasojë e delirit nacionalist të një tirani.
Në këtë rast është e qartë se përdorimi i fjalës “shfarosje” i shkon më së miri operacionit të Sllobodan Millosheviqit në Kosovë. Kjo filloi pikërisht në kulmin e bisedimeve në Rambuje, me mobilizimin – kundër marrëveshjes së tetorit të kaluar – dhe hedhjen e 40 mijë trupave të Ushtrisë jugosllave mbi Kosovën, ndërkohë duke e izoluar këtë provincë e duke dëbuar edhe shtypin ndërkombëtar.
Dëshmitë e marra nga refugjatët kosovarë në Maqedoni dhe në Shqipëri tregojnë për një planifikim të ftohtë, të zbatuar me një saktësi shkencore. Në fshatrat e pushtuar ndahen të rinjtë nga fëmijët, pleqtë dhe gratë, dhe ekzekutohen, shpesh duke i detyruar në fillim ta hapin vetë varrin e përbashkët. Të mbijetuarve u jepet një afat minimal për të ikur nga vendi i tyre, pasi ua marrin të gjitha dokumentet personale.
I zhdukin regjistrat publike, duke djegur gjithë dokumentacionin që vërteton se këta kosovarë kanë qenë pronarë të atyre shtëpive dhe tokave, qoftë që kanë jetuar ndonjëherë aty apo që kanë ekzistuar. Etapa e fundit e operacionit, kur sipas ACNUR-it më shumë se gjysmë milion kosovarë kanë qenë përzënë nga vendi i tyre dhe nja dyqind e pesëdhjetë mijë janë zhvendosur brenda Kosovës, duke mos i lënë të ikin e të shpëtojnë kokën që t’i përdorin si mburoja njerëzore ndaj bombardimeve dhe ndonjë aksioni të mundshëm ushtarak tokësore të aleatëve. Në çdo rast, është e qartë se objektivi i Millosheviqit është pastrimi etnik: ta bëjë Kosovën një provincë qind për qind serbe dhe ortodokse, pa asnjë gjurmë shqiptare apo myslymane.
A ka ndonjë lidhje vonesa e komunitetit ndërkombëtar për të vepruar kundër Millosheviqit me faktin se viktimat e tij janë myslimanë? Kam frikë se ka, ashtu siç pati dikur vonesë nga ana e aleatëve për t’i shpallur luftë Hitlerit, viktimat e holokaustit të të cilit qenë çifutët.
Jam i sigurt se po të ishte kristian komuniteti që provoi vuajtjet dhe grabitjet që provuan boshnjakët apo që provojnë tani kosovarët, reagimi i opinionit publik dhe i qeverive perëndimore do të kishte qenë shumë më i shpejtë dhe se në Perëndim nuk do të kishte pasur kurrë sektorë të gjerë, të cilët ngulnin këmbë që qeveritë e tyre të rrinin duar kryq përballë këtyre krimeve.
Është diçka që nuk thuhet ose thuhet me zë të ulët dhe midis njerëzve të besuar: mos po krijojmë një Molok midis nesh, një regjim islamik fundamentalist aleat me Gadafin, Sadam Huseinin dhe ajatollahët në zemër të Evropës? Mos vallë, në një farë mënyre, Millosheviqi dhe serbët po luftojnë tani, siç luftoi edhe princi Llazar me serbët e tij më 28 qershor 1389, pikërisht në këtë Kosovë, kundër gjysmëhënës barbare e fanatike, armike e përjetshme e Evropës kristiane e të civilizuar?
Edhe pse duket si e pabesueshme, ka demokratë të ndjeshëm me këto “argumente” dhe, për këtë, sondazhet tregojnë se sektorët kundërshtarë të ndërhyrjes ushtarake për të shpëtuar kosovarët nga shfarrosja, i kapërcejnë shifrat elektorale që arrijnë zakonisht partitë komuniste e neofashiste, tani të binjakëzuara edhe më shumë si dikur pakti Molotov-Ribentrop, në fushatën pacifiste kundër NATO-s.