Site icon Telegrafi

Kohë lufte në Pejë

E shtunë, 27 mars 1999, ditë pazari për pejanët! Ishte kjo dita e katërt e bombardimeve të forcave të paktit NATO ndaj forcave policore e ushtarake serbe. Asnjë lëvizje në qytet. Ishin ndërprerë edhe ato lëvizje mes fqinjëve e të tjerat sa për të blerë bukë për pak minuta. Krisma armësh, sirena alarmuese të luftës që transmetoheshin nga gjigandi i dikurshëm “Zastava”, snajperistë mbi “Bankos” dhe mbi Pallatin e Kulturës…

Njësitet paramilitare serbe… ‘Speciallca’, “Munja”, “Frenki” dhe “Crna Ruka” në Kodrën e Tabjeve, kishin ditë që ishin vendosur pranë bunkerëve të Luftës së Dytë Botërore nga ku e kontrollonin lagjen “Jarina” dhe gjysmën e qytetit – si në pëllëmbë të dorës (“Jarina” ishte lagje e përzier për nga struktura etnike). Familja jonë dhe fqinjët i kishim të kufizuara lëvizjet edhe përbrenda shtëpive.

Atë të shtunë, ato forca në Kodrën e Tabjeve, ishin më të kujdesshme në ekspozim. Sepse, NATO mbulonte qiellin!

Në “Dardania III”, “II” dhe “I”, veçse kishin ndodhur krimet dy e tre ditë më parë. Në rrethinën e Pejës UÇK-ja kishte ndërmarrë aksione të cilat u kishin sjellë humbje forcave policore e ushtarake serbe. Krimineli famëkeq Vidomir Shalipuri, që banonte qindra metra larg shtëpive tona (në rrugën e “Asllan Çeshma”), ishte i tërbuar. Flitej se i ishin vrarë tre shokë të njësitit.

Në objektin e Komunës së Pejës, kryetari i dhunshëm kishte ditë që ia lëshuar zyrat shefit të shtabit të njësitit snajperist të Armatës së Tretë jugosllave, grup që thuhet të ketë qenë nën komandën e drejtpërdrejtë të gjeneralit të kësaj armate.

***

Mesditë! E shtunë, 27 mars 1999. Thuhej se po e zbraznin “Kapeshnicën”, një lagje etnikisht të pastër me rreth 20 mijë banorë, e dalluar në qytet për shpirtin rezistent. Atje i kisha dajtë. Brenga ishte e madhe. Linjat telefonike kishin ditë që nuk funksiononin.

Peja, sikur e tërë Kosova, ndodhej jashtë reflektorëve të bashkësisë ndërkombëtare. Misioni vëzhgues i OSBE-së e kishte lënë Kosovën. Kampi i sotëm “Karagaç” – atëherë “Miranda” ku ishte ky mision – ishte i boshatisur. I vetmi “komunikim” me botën – për ato familje që kishin luksin e antenës satelitore – mbetën “Zëri i Amerikës” (çdo mbrëmje në ora 23:00) dhe DW-së (çdo ditë në ora 13:00).

Një natë e gjatë. Shumë frikë dhe shpresë… Frikë sepse rrethanat e zhvillimeve të shpejta, nga çasti në çast, reflektoheshin në fytyrat e prindërve dhe të familjarëve më të moshuar. Shpresë sepse pas një terri të gjatë, 4-5 netët e fundit po sillnin dritë… nga aeroplanët e Aleancës më të fortë në historinë e njerëzimit.

Si 18 vjeçar, emrat e aktorëve të njohur të filmave ishin zëvendësuar me ato të figurave që po bënin politikën e botës: Richard Holbrooke, Robin Cook, Jamie Shea, Javier Solana, Jacques Chirac, James Rubin, Klaus Kinkel, Madeleine Albright, Bil Klinton, Christopher Hill, Tony Blair, Wesley Clark… Atëherë, si i ri, më së shumti përshtypje më linin paraqitjet e Clarkut. Ishte amerikan në uniformë, i paktë në fjalë dhe me shkopin në dorë me të cilin prekte hartën e caqeve në Jugosllavinë e cunguar.

Ata të cilët nuk i kuptoja në atë periudhë, ishin pikërisht ata që duhej t’i doja më së tepërmi: faktori politik i Kosovës. Faktori shqiptar paraqitej në edicione lajmesh, veçanërisht gjatë kohës së konferencës së Rambujesë. Thaçi, Bukoshi, Tahiri, Hajrizi e të tjerë… Sado që ne prisnim lajme jetike për fatin tonë, ata i mbushnin minutat duke bërë garë mes vete, me demante e kundër-demante se kush ishte prijës i delegacionit Kosovar, Thaçi apo Rugova! Nga spektri ynë politik, të gjithë ne në shtëpi i admironim paraqitjet e Veton Surroit dhe Blerim Shalës. Prej korrespodentëve që raportonin nga qendrat e vendosjes dhe ato shqiptare, nuk mund të mos përmend Augustin Palokën nga Brukseli, Nadira Avdiq-Vllasin, Asllan Bajramin, Mustafë Muçajn dhe Besa Çekun. Me raportimet e tyre, bashkë me bukën dhe ujin, ishin pjesë e familjeve tona…

***

E diel, 28 mars 1999, dita e Kurban Bajramit Qyteti i Pejës ishte në flakë. “Jarina” po zbrazej. Gjatë natës disa nga fqinjët ishin nisur kokë më vete në drejtim të Rozhajës. Një pjesë e madhe e tyre kishin mbetur – bashkë me ne. Ishim në shtetrrethim e të paarmatosur.

Ora 13:00… Lajmet në DW. Më të vjetrit e dy familjeve (e jona dhe e axhës), kërkojnë qetësi se po flet Valentina Saraqini: “Informacionet tona nga Peja flasin për krime makabre të forcave serbe. Qendra zejtare, pjesa e Stacionit të Autobusëve, Kalaja dhe blloqet ‘Dardania’ janë në flakë. Burrat e ‘Kapeshnicës’ kanë filluar një rezistencë nën sloganin ‘nuk duam të vdesim si kafshë’. Mungon rryma dhe linjat telefonike me lagjet ‘Jarina’ dhe ‘Ramiz Sadiku’. Në këto lagje ekziston frika e ndonjë masakre të mundshme, meqë ka popullatë të përzier… Kemi në linjë telefonike komandantin e UÇK-së të Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinajn.”

Saraqini pyet: “Z. Haradinaj, cila është gjendja?”

Haradinaj: “Popullata civile e Pejës është e pambrojtur, e kjo ka bërë që të kemi kujdes në ofensivat tona, sepse aparati serb është hakmarrës. Në zonat ku kemi ushtarë të rregullt të UÇK-së, humbjet e forcave serbe janë të mëdha, si në njerëz ashtu në teknikë luftarake. Liria kurrë s’ka qenë më afër”.

Saraqini: “A mund të flasim për rezultatet e Rambujesë, nga këndvështrimi juaj?”

Haradinaj: “Nuk e di. Nuk jam marrë me ta. Liria bëhet këtu. Jemi në punë me të gjitha mjetet që i kemi në terren. Popullatën e Pejës e ftoj për organizim për vetëmbrojtje.”

Saraqini: “Cila është thirrja juaj për Bashkësinë ndërkombëtare ?”

Haradinaj nis të flas në anglisht dhe linja ndërpritet.

Ishte ky momenti i parë që njoha (nga zëri), kryeministrin e sotëm. Nuk e kisha idenë e figurës së tij. Sipas meje, foli saktë dhe si ushtarak. Na e krijoi idenë e njeriut të vendosur, siç e njoh edhe sot. Ishte i vetmi ushtarak nga terreni që prezantohej pa nofkë, me emër dhe mbiemër.

Disa minuta më pas, në derën e shtëpisë tonë trokasin fqinjët serb dhe malazezë” Ne i lëshojmë shtëpitë tona. Nën përcjellje të forcave serbe, në kolonë e në këmbë, arrijmë në qendër të qytetit. Një pjesë e familjes marrin drejtimin e Rozhajës me një automjet “Reno 4” të axhës, e ne, pjesa tjetër, mbesim të rreshtuar në autobusin e “Gramosi Tours”-it që ishte vjedhur dhe të cilin e drejtonte një polic serb që na dëbon deri te kufiri me Shqipërinë.

***

Peja çlirohet më 16 qershor. Liria erdhi… e përgjakshme! 70 për qind e qytetit të Pejës ishte shkatërruar. Shumë viktima, shumë martirë, shumë dëshmorë… Dhe, shumë ëndrra e shpresa për një të ardhme të ndritshme.

Po në këtë datë, pas një kohe të gjatë vuajtjesh, persekutimesh, dënimesh, vrasjesh e krimesh… në qendër të Pejës dhe në objektin komunal valëvitet flamuri kombëtar kuqezi! Et’hem Çeku, si kryetar i ri (të cilin më vonë do ta intervistoja shumë herë si gazetarë), ishte personifikim i UÇK-së për popullatën e porsakthyer, e cila përkundër humbjeve dhe shkatërrimeve, shprehte vitalitet të pashembullt për punë dhe për rindërtim të qytetit.

Exit mobile version