Ronald Koeman po përgatit një numër ndryshimesh për ndeshjen e së hënës, ku Barcelona luan ndaj Granadas në La Liga Santander, pasi disa të rinjve pritet t’u jepet rasti.
Me Jordi Alba dhe Pedri të lënduar, hapet dera për Alejandro Balde, Gavi dhe Yusuf Demir, të cilët të gjithë u futën në lojë kundër Bayern Munich në humbjen e mesjavës në Ligën e Kampionëve në “Camp Nou”.
Pavarësisht asaj disfate zhgënjyese, tre të rinjtë dhanë një paraqitje të mirë për veten e tyre.
Nga treshja e lartpërmendur, është Balde ai që ka shansin më të mirë për të filluar duke pasur parasysh se Alba doli nga fusha duke çaluar në pjesën e dytë kundër Bayern, dhe Koeman nuk kishte asnjë mbrojtës tjetër të majtë në skuadër.
Mungesa e Pedrit mund të plotësohet nga Sergi Roberto, por edhe Gavi mbetet një kandidat.
Pastaj është Demir, i cili mund të bëjë një paraqitje në sulm, megjithëse treshja më me përvojë Philippe Coutinho, Memphis Depay dhe Luuk de Jong mund të fillojë, me austriakun që ndoshta do të hyjë më vonë në lojë.
Tjetër ndryshim i mundshëm nga ndeshja me Bayernin është rikthim në formacion 4-3-3.
Koeman zgjodhi tre qendërmbrojtës kundër bavarezëve, por në një ndeshje në të cilën katalanasit janë favoritë, fokusi do të jetë më shumë në sulm sesa në mbrojtje. /Telegrafi/