Site icon Telegrafi

Koha për reportazh

Sikur nuk kanë të ndalur shkrimet e opinionet me karakter politik. Shumë kujt i janë bërë edhe të mërzitshme. Muajt e verës është mirë të shfrytëzohen për udhëtime, për vizita në atë treva ku dikush nuk ka qenë asnjëherë. Atdheun vetëm duke e parë dhe prekur për së afërmi e njeh dhe e kupton më mirë. Sikur është harruar të shkruhet për aktivitetet dhe punët e përditshme që po zhvillohen anë e kënd Kosovës. Koha është edhe për reportazh mbi ndërtimet që po bëhen anë e kënd Kosovës.

Rrugëtimi ynë atë natë gushti drejt Drenasit kishte për qellim një dasmë. Nuk kishim shumë dilema për shënimin. Fakte të mjaftueshme në të gjitha anët.

Askush nuk e ka përcaktuar asnjëherë formulimin e saktë se çka është reportazhi, por për të sqaruar këtë formë shkrimi secili që pretendon të merret me të, duhet edhe të shoh në fjalorin shpjegues se vetë fjala reportazh ka origjinë frënge dhe do të thotë; gjini letrare e publicistike që pasqyron punën a veprimtarinë në një fushë të caktuar ose ngjarje nga jeta e përditshme, të cilat gazetari i ka parë vetë.

Në ketë udhëtim nuk isha dëshmitar i vetëm.
Të dalësh nga Prishtina andej në drejtim të Aeroportit, pas luftë ka qenë bërë temë veçanërisht në dy vjetët e fundit. Rruga dhe tollovia që krijohej deri në Sllatinë ishte temë e pashmangshme në të gjitha gazetat e përditshme vendore. Sot për këtë rrugë më nuk shkruan askush. Tash temë është bërë segmenti Sllatinë-Arllat. Pse nuk i shkon në mendje dikujt të numërojë urat, mbikalimet e nënkalimet që u ndërtuan vetëm në segmentin rrugor Prishtinë- Sllatinë? Më nuk shkruan askush se për sa minuta shkon deri në aeroportin tonë ndërkombëtarë dhe për sa kthehesh në Prishtinë. Sa urat kryevepra janë kryer vetëm në këtë segment rrugor pak kush i numëron. Ata që ngarendin andejpari sikur kanë në mendje vetëm minutat e humbura në pjesën e segmentit rrugor që po ndërtohet tash.

Në udhëtimin e dasmorëve të asaj mbrëmje ishte temë arritja më e lehtë nga Prishtina në Drenas. Ata që dinë e duan, në Sllatinë zgjodhën drejtimin rrugor andej kah Guri i Plakës. Dasmorët nga Prishtina përveç drejtuesit të makinës, nuk kishin pas rast të shohin ndonjëherë ato treva të bukura që tashmë i përshkon rruga e re moderne. Jo pak njerëz tanë mbajnë mend rrugën andej kah Guri i Plakës. Nëse nisesh nga Prishtina për Drenicë; këmbë, me kalë apo me makinë mund të zgjedhësh daljen nga qyteti. Për të shkuar në Drenas mund të ndërrosh drejtimin në Sllatinë dhe të kthesh në të djathtë në drejtim të minierave të thëngjillit, andej kah Bardhi i Madh. Për të depërtuar në rajonin e Drenicës gjithsesi duhet të kapërcesh andej kah një grykë e ngushtë malesh, pikërisht kah Guri i plakës. Shumë njerëz andej nga Drenica kishin kaluar dikur ato shtigje këmbë deri në Bardhë të Madh. Dikë ende e merr malli për të parë edhe një herë atë shkëmbin me emër Guri i Plakës të cilin e ndanë në dysh hekurudha. Po ia vlen të shkohet andej qoftë edhe një herë për të parë ato shtigje të cilave u dhanë emër bijtë më të mirë të atdheut, ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Udhëtimi ynë andej ka për qellim dasmën e një ushtari të lirisë. Ta njohësh atdheun për së afërmi është bukur është nder dhe të bënë mirë. Ashtu e do më shumë. Ashtu e kupton më mirë atdheun, vendin për të cilin u sakrifikuan aq shumë brezni. Për udhëtimin e parë nëpër cilën do trevë duhet vullnet dhe dashuri. Dasmorët nga Prishtina i kishim të dyja këto në këtë udhëtim. Shumë kush sot flet në mënyrën e tij për organizimin e dasmës apo kundër. Dasma është moment unik në jetë, andaj duhet shënuar. Familja e dhëndrit ka vendosur të bëjë dasmë. I kishte vajtur mendja gjithkah djaloshit që po martohej. Madje kishte menduar se shokët e punës ndoshta nuk do të shkonin. I kishte thirr të gjithë pa përjashtim. Kolegë e kolege. Dita e dasmës tashmë kishte ardhur. Po! Kolegët e punës kishin vendosur të shkonin atje. Kishin përgatitur edhe një dhuratë modeste të gjithë së bashku. Jo të gjithë, nga 30 sa ishin, do të shkonin atë natë në gëzimin e tij.

Ka ndërruar aq shumë koha me të gjitha zakonet e vjetra. Makinat nga Prishtina me vështirësi dalin nga qyteti. Rruga në drejtim të Drenasit, andej nga Sllatina e tutje në drejtim të Komaranit është duke u ndrequr me të madhe. Tollovia sikur nuk ka fund. Vështirë mund ta kuptojë secili gjithë atë front të hapur pune. Shumë kush kritikon pa nxjerrë kokën as nga dritarja në Prishtinë e lë më të vizitojë e shoh gjithë atë që po ndërtohet kudo në Kosovë. Në Sllatinë, kushdo që ka synim Drenasin duhet të drejtohet andej nga Bardhi i madh, Grabovci e Shipitulla. Vetëm njeri nga koleget që udhëtonim së bashku kishte pasur rastin të ngas makinën andejpari. Rruga e re e asfaltuar gati në distancë të plot thuaja kishte lidhur Drenasin me Bardhin e Madh dhe Sllatinën. Nuk kishte mbetur më shumë se një kilometër deri në përfundim e kësaj rruge.

Po pse reportazhi për këtë rrugë do të mund të pyeste dikush? Rruga që po përshkonim me shpejtësi mesatare ishte vetë një mrekulli për atë trevë deri vonë të pa njohur e të mbajtur mend më shumë, vetëm nga lufta e fundit çlirimtare në Kosovë.
Guri i Plakës, ku gjendet ai? E din dikush?
Dikush ka dëgjuar për të e dikush pret me kërshëri të shoh si duket ai. Po tani është krejt ndryshe nga koha e luftës së UÇK-së. Po Guri ishte aty dhe pranë gurit një kafene e vogël verore simpatike dhe muzika popullore dëgjohej gjithandej.

Po ngjallet Kosova thotë dikush. Po punohet apo jo, diçka? Vendi, më në fund po i kthehet punës. Ndoshta, të shpresojmë. Më shumë se 20 kilometra rrugë të re i shkëputë një shteg prej 100 metrash pa asfalt, para një shtëpie të bukur. Aty shoferi ynë që e njihte terrenin frenon dhe me ngadalë tregon se si zotëria ka penguar finalizimin e rrugës në atë pjesë. Nuk ka dashur te marr kompensimin megjithëse rruga e re i shërben edhe atij. Demokracia është tolerante apo jo?! Gjithkah mund t’i shkojë mendja njeriut. Pse dikush nuk pajtohet edhe atëherë kur punohet për të mirën e tij? Ndoshta e mundon njeriun ndonjë inat i vjetër nga mesjeta apo ku ta dish. Për ketë rrugë, ndoshta është shkruar ndonjëherë, por, për çudi asnjëri nga udhëtarët e as shoferi ynë nuk e dinin gjatësinë e trasesë dhe kur kishte filluar e kur do të përfundonte ajo. Mrekullia në atë territor kishte ndodhur. Tashmë po shihej praktikisht mundësia për të përparuar edhe ajo anë. Përbri asfaltit kishin mbetur edhe ca punë për t’u kryer. Gjithçka që punohet, e ka çka të punohet, do ia shtojë edhe më shumë vlerën kësaj vepre të madhe që tashmë po përfundonte. Sa kohë kemi kaluar nuk e ka llogaritur askush. Nata po afron. Ka filluar të ngryset. Jemi në cak. Do të ishte mirë të vizitojmë sheshin e Drenasit që sapo është ndërtuar. Koha nuk premton. Ahengu po na pret.

Exit mobile version