Site icon Telegrafi

Koha për një gjeneratë të re politike

Petrit Zogaj ka shtruar nevojën e pensionimit të gjeneratës politike që u ka prirë proceseve në më shumë se dy dekadat e fundit. Ka thënë të jetë koha për një gjeneratë të re.

Zogaj është drejtor ekzekutiv i Lëvizjes FOL, një organizatë joqeveritare që angazhohet për promovimin e qeverisjes së mirë nëpërmjet monitorimit, hulumtimit dhe avokimit të politikëbërjes.

Në një intervistë për “Kohën Ditore”, ai ka shfaqur nevojën për ndryshime në skenën politike. Veçmas ka folur për iniciativat, për krijimin e subjekteve të reja.

“Është koha e një gjenerate të re politike. Është koha që status quo-në e këtyre dekadave ta përfundojmë. Problemet e sotme nuk janë ato të viteve ‘90, të rezistencës paqësore e as të luftës së armatosur. Problemet e sotme janë ato të përfundimit të shtetndërtimit tonë. Të funksionalizmit të institucioneve tona. Të zhvillimit të ekonomisë. Janë probleme të ndërtimit të besimit në sistemin e drejtësisë. Të krijimit të një sistemi arsimor e shëndetësor. Janë probleme të reformave që duhet ndërmarrë në proceset integruese në BE e në NATO”, ka thënë Zogaj.

Sipas Zogajt, ajo çfarë duhet të bëjë një formacion i ri politik është të japë alternativën dhe detyrimisht të mobilizojë qytetarët.

Në këtë intervistë Zogaj ka folur edhe rreth pritjeve që subjektet e reja të mund të bëhen pjesë e Kuvendit, apo edhe të dalin si forca kryesore politike pas zgjedhjeve të ardhshme nacionale.

Ka treguar se a mund të quhen parti të reja subjektet që mund të krijohen nga njerëz që tash e sa vjet janë pjesë e skenës politike dhe partive “të vjetra” dhe i është përgjigjur pyetjes se nga kush, realisht, mund të cenohen partitë në pushtet – nga opozita aktuale apo nga subjekte të reja politike.

Exit mobile version