Këndvështrimet kontradiktore të Prishtinës dhe Beogradit
Nuk ka dyshim se Rezoluta 109825 e BE-së dhe Serbisë e aprovuar më 9 shtator 2010 në AP të OKB-së ishte një kompromis ndërkombëtar dhe një largim përfundimtar i kërkesës permanente të Beogradit për shqyrtimin e statusit të Kosovës dhe është në funksion të bisedimeve për zgjidhjen e të gjitha problemeve që kanë këto dy vende ndërmjet veti, por që kanë synim integrimet evropiane. Menjëherë, për fat të keq kjo rezolutë nga Beogradi ka filluar të interpretohet si fitore e tyre duke theksuar në radhë të parë suksesin e politikës serbe mbi ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Serbisë mbi tokën e Kosovës. Kreu i lartë i këtij shteti në të gjitha tubimet publike dezinformon opinion e tyre duke theksuar se kanë arritur “fitore të madhe” si në ruajtjen e sovranitetit të Serbisë, të suksesit mbi fillimin e bisedimeve të reja për të gjitha çështjet e hapura, por edhe të statusit të Kosovës.
Në anën tjetër, Prishtina dhe Tirana në një formë tjetër janë duke dezinformuar opinionin e tyre për “fitore historike” kundër Serbisë, bile nga kreu institucional i Kosovës kjo Rezolutë konsiderohet si njohje indirekte e shtetit të Kosovës nga Beogradi. Këndvështrimet e tyre kontroverse politike janë të skajshme dhe joreale, sepse realiteti tregon diç ndryshe. Edhe pse ka kaluar një kohë, nga kjo Rezolutë nuk po shihet asnjë ndryshim në terren. Beogradi po vazhdon me avazin e vjetër duke trumbetuar mbi ruajtjen e territorit të Serbisë dhe mbështetjen e politikës destruktive ndaj Kosovës, kurse Prishtina në 1/3’në e territorit të vet nuk e ushtron sovranitetin e vet për shkak të strukturave paralele serbe dhe rolin e Beogradit që ka mbi to.
Gjendja në terren prejudikon rezultatin përfundimtar
Tani, kur kemi një gjendje të rëndë në terren, me struktura paralele serbe, me indiferencë ndërkombëtare ndaj këtij problemi, me neglizhencë totale institucionale ndaj këtyre problemeve, padyshim kjo situatë më shumë i shkon në favor të Beogradit dhe mbështetësve kundër-Kosovë. Mungesa e strategjisë shtetërore të Kosovës për zgjidhjen e problemeve të brendshme në vend, mungesa e uniteti kombëtar, mungesa e Planit “B” për Kosovën (si kundërpërgjigje ndaj Planit të Ahtisarit), politika joreale evropiane ndaj Ballkanit (veçmas ndaj çështjes shqiptare), si dhe faktorët tjerë relevant do të kenë ndikim të madh në rezultatin e këtyre bisedimeve.
Një parakusht shumë i favorshëm për zbatimin e Planit ekspansionist serb mbi copëzimin e Kosovës është edhe Plani i Marti Ahtisarit, i cili ka krijuar dhe mundësuar që minoriteti serb dhe Kisha Ortodokse Serbe të fitojnë statusin special të autonomisë së tyre politike, territoriale dhe administrative. Po ashtu, në favor të kësaj politike kohë më parë ishte deklarua vetë kreu i Ekzekutivit Shqiptar, Sali Berisha, i cili është i vullnetshëm të bisedojë me Beogradin për njohjen e statusit special të minoritetit serb në veri të Kosovës, por vetëm mbi bazën e reciprocitetit me të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Bisedime për projektin e integrimeve ndërshqiptare
Pavarësisht çfarë thuhet në përmbajtjen e Rezolutës 10980 të AP-së së OKB-së, pala shqiptare duhet të mendohet mirë para se të hyjë në bisedime me Serbinë, sepse në rast të mungesës ë Planit rezervë ndaj këtij të Marti Ahtisarit, atëherë pa asnjë dyshim epilogu i bisedimeve do të jetë statusi special i autonomisë politike e territoriale për serbët në veri të Kosovës, eksterritorialiteti i kishave dhe manastireve, si dhe decentralizimi i komunave serbe në jug të Kosovës. Më pastaj bashkësia ndërkombëtare do të shtojë trysni ndaj Prishtinës si palë e dobët në bisedime dhe kjo do të lëshojë pe ndaj kërkesave të tilla me pasoja të mëdha për të ardhmen e shtetit të Kosovës.
Ky shtet do të vihet në pikëpyetje sidomos në funksionimin e tij dhe kriza do të jetë e pashmangshme. Atëherë, mund të shtrohen dilema të mëdha për intervenimin ndërkombëtar në Kosovë dhe investimet e tyre dhjetëvjeçare. Andaj, nuk duhet të tolerohen koncepte eksperimentale në Kosovë, sepse kjo është në kundërshtim me të gjitha të drejtat ndërkombëtare. Konceptit “shtet në shtet” do të jetë grushti më i rëndë ndaj sakrificës së popullit shqiptar të Kosovës, por edhe i gjakut të derdhur të gjeneratave të ndryshme nëpër dekada të shumta. Ky eksperiment nuk duhet lejuar për asnjë çmim, ndërsa shpagimi i vetëm ndaj të drejtës natyrore dhe hyjnore duhet të jetë integrimi ndër shqiptar si forma më e shkurtër dhe më e drejt e zgjidhjes së problemit shqiptar. Ky koncept do t’i mbyllte të gjitha dilemat e këtij populli dhe jo konceptet e vjetra të politikave meskine dhe retrograde.
Bashkësia ndërkombëtare duhet të mbështesë konceptin e vetëvendosjes së këtij populli dhe jo të mbështesë konceptet irracionale të një politike ekspansioniste serbe në rajon. Vetëm vetëvendosja e popullit shqiptarë është ilaçi më i mirë për qetësim dhe stabilizim afatgjatë, sepse kjo sjellë një ardhmëri të ndritshme, si në rajon dhe Evropë. Të gjitha zgjidhjet tjera të karakterit eksperimental dhe improvizues do të jenë të dështuara, andaj në bisedimet e ardhshme shqiptaro-serbe njëherë e përgjithmonë duhet të ndahet shapi prej sheqerit në mënyrë që rajoni të ketë qetësi dhe stabilizim afatgjatë.