Site icon Telegrafi

Koha e rregullt dhe vazhdimet nuk e përcaktuan fituesin në barazh: Liria përmes penalltive mposht Ferizajn për t’u rikthyer në Superligë

Liria ka mposhtur në barazh Ferizajn përmes penalltive, pasi koha e rregullt dhe vazhdimet nuk prodhuan gola, për t’u rikthyer kështu në Superligën e Kosovës.

Pas vetëm pesë minutash lojë, ferizajasit rrezikuan portën e skuadrës nga Prizreni nga një goditje prej këndit, mirëpo rreziku u largua.

Një minutë më vonë, Liria rrezikoi me anë të Meameno që harkoi në zonë, mirëpo portieri Jovanovski ishte i vëmendshëm.

Qemail Elshani (15’) lëshoi një goditje nga distanca, por ishte e pasaktë, me topin që shkoi mbi portë.

Në minutën e 23-të, Drilon Islami testoi portierin e Lirisë, Drilon Hodaj, me këtë të fundit që ishte i vëmendshëm.

Edhe Edon Sadriu pati shansin pas vetëm, një minutë që të shënonte, ndërsa Hodaj ishte sërish në vend.

Ferizaj kishte edhe në vazhdim iniciativën, ndërsa rrezikoi me anë të Mateo Panadic dhe Albin Krasniqit, por goditjet e tyre u ndalën nga gardiani i Lirisë.

Skuadra Prizreni filloi të dilte më përpara nga ky presion konstant i kundërshtarit, gjersa rrezikoi përmes Qemail Elshanit, mirëpo goditja e tij ishte e gabuar.

Edhe pjesa e dytë nisi në favor të Ferizajt, që rrezikoi nëpërmjet Panadic në minutën e 54-të, ndërsa gjuajtja e tij shkoi fare pranë portës.

Sadriu (59’) testoi sërish Hodajn, por as kësaj here nuk ia doli të mposhte portierin e Lirisë.

Liria rrezikoi fuqishëm përmes Liridon Fetahajt, ndërsa që të dy goditjet e tij të njëpasnjëshme i ndali Marko Jovanovski.

Dy skuadrat u munduan deri në fund që të gjenin golin e fitores, mirëpo nuk ia dolën, ndërsa e njëjta situatë ishte edhe në vazhdime, ku rastet nuk munguan, por lojtarët nuk ishin efikas.

Kështu, në gjuajtjen e penalltive, Liria doli të ishte më e saktë, duke shënuar tri, për dallim nga Ferizaj që humbi tri dhe nuk realizoi asnjë.

Liria inkuadrohet në Superligën e Kosovës, ndërsa do të shpresojë që me disa përforcime në verë të mos përjetojë më renien nga elita e futbollit kosovar, derisa Ferizajdo të tentojë të rikthehet në Supoerligë nga edicioni i ri. /Telegrafi/

Liria: O, X, O, O.

Ferizaj: X, X, X.

(O – penallti e shënuar, X penallti e humbur)

Exit mobile version