Telegrafi

“Koha e kometës” përuron Festivalin veror të Filmit Artistik

Festivali Ndërkombëtar i Filmit Artistik, që do të zhvillohet në Durrës nga data 23 gusht deri më 4 shtator, vjen për të parën herë në Shqipëri së bashku me filmin "Koha e kometës". Filmi do të shfaqet premierë gjatë këtij festivali, pas më shumë se një viti nga koha e fillimit të xhirimeve të tij.

Filmi i regjisorit Fatmir Koçi, bazuar në librin e Ismail Kadaresë, "Viti i mbrapshtë", do të vijë premierë për publikun, duke qenë njëkohësisht edhe filmi që çel festivalin veror ndërkombëtar.

Në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Artistik do të marrin pjesë 11 filma të huaj artistikë dhe tre shqiptarë (përveç "Koha e kometës"). Këta filma, prodhime të pas 2005-s, do të konkurrojnë për çmimin "Gladiatori i artë" që jepet për filmin më të mirë artistik.

"Trishtimi i znj. Shnajder" i Piro Milkanit, "Mao Ce Duni" i Besnik Bishës dhe "Sekretet" e Spartak Pecanit, janë filmat që do të na përfaqësojnë në të parin edicion të këtij festivali. Porse në këtë festival nuk do të mungojë edhe kinematografia gjermane, çeke, estoneze, kroate, maqedonase apo irakiane.

I organizuar nga Bashkia e qytetit në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Kinematografisë, për pjesëmarrësit do të ndahen edhe çmime të tjera, si ai i jurisë, një çmim për filmin më të mirë shqiptar, apo çmime për aktorin dhe aktoren më të mirë të festivalit.

I ftuar special në festival do të jetë producenti dhe regjisori Jan Harlan, por nuk do të mungojnë dhe të ftuar të tjerë, si aktori italian Mikele Plaçido dhe regjisori, skenaristi e aktori çek, Jiri Menzel. Pikërisht këta të ftuar, së bashku me Dimitris Kernikos, analist ballkanas i "Thessaloniki Film Festival", dhe Elena Giufrida, zv/president e Festivalit të Filmit të Triestes, janë dhe anëtarët e jurisë së këtij festivali.

Për aktorin italian, Michele Placido, kjo është një vizitë e dytë në lidhje me kinematografinë shqiptare. Pas vizitës disa muaj më parë për premierën e filmit "Trishtimi i Zonjës Shnajder", i regjisorit Milkani, aktori i njohur italian do të vijë edhe një herë si i ftuar special në Festivalin veror të Filmit Artistik 2008. Aktiviteti organizohet për herë të parë nga Bashkia e Durrësit dhe Qendra e Filmit. Filmat do të shfaqen brenda teatrit "Aleksandër Moisiu" të qytetit bregdetar.

"Koha e kometës"

Ky film, ndryshe nga libri i Kadaresë, e vendos fillin e ngjarjeve jo në jug të Shqipërisë, por në një fshat të Shqipërisë lindore. Që këtu, pesë fshatarët ndërmarrin udhëtimin e tyre në veri dhe deri në Shqipërinë qendrore.

Është koha kur në Shqipëri mirëpritet ardhja e mbretit, edhe pse gjerman. Të veshur me kostume tradicionale dhe me armë në krah, Shestan Verdha, Cute Benja, Tod Allamani, Alush Gjati, Doska, udhëtojnë për të gjetur luftën, ndërsa në qiell shfaqet kometa Halley, e cila zhduket pas pak javëve!

Dhe ajo që nuk gjejnë është pikërisht lufta. Kurse ajo me të cilën "përqafohen" është absurditeti i saj, në një kohë kur personazhi kryesor, Shestani (Blerim Destani), takon një vajzë katolike, Agnesën, me të cilën dashurohet. "Koha e kometës" është një realizim shqiptaro-gjerman-maqedonaso-francez.

Në stafin e tij ka një sërë emrash të njohur dhe me përvojë në fushën e kinematografisë. Drejtor i fotografisë së filmit është irlandezi Donal Gilian, i cili ka punuar në filmin e Stiven Spilbergut, "Shpëtoni ushtarin Rajan", si asistent i parë i drejtorit të fotografisë, si dhe në klipe të shumta muzikore me grupin e njohur "U2".

Një tjetër emër që ia vlen të përmendet është ai i Ralf Muler, i cili ka marrë pjesë në produksionin e filmit të njohur "Gladiatori", si dhe artisti gjerman Tomas Haince, në rolin e princ Vidit. Muzika është realizuar nga kompozitori shqiptar që jeton në Hollivud, Aldo Shllaku, ndërsa marrin pjesë aktorët nga Maqedonia, Vllado Jovanovski, aktorja Naomi Valeska (mbretëresha Sofi), Çun Lajçi apo Masiela Lusha dhe Blerim Destani në rolin e Shestanit, ky i fundit edhe producent i filmit.