Ministri i Punëve të Jashtme i Mbretërisë së Holandës, Bert Koenders, ka uruar zëvendëskryeministrin e parë, Hajredin Kuçi, për emërimin në këtë pozitë.
Në telegramin e urimit thuhet se Kosova është duke bërë përparim të qëndrueshëm në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.
“Hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian më 1 prill të këtij viti ishte një moment i rëndësishëm në këtë drejtim. Në të njëjtën kohë, zbatimi i marrëveshjes sapo ka filluar dhe ajo do të kërkojë angazhim dhe këmbëngulje nga ana e Qeverisë dhe popullit të Kosovës. Në mënyrë që të bëhet përparim, një sërë sfidash politike të brendshme dhe rajonale duhet të adresohen”, thuhet në letër.
Koenders thotë se e mirëpret bashkëpunimin konstruktiv dhe efektiv në mes të dy qeverive.
“Holanda mbetet e angazhuar për të ndihmuar vendin tuaj në sigurimin e së ardhmes si anëtare e familjes evropiane dhe bashkësisë ndërkombëtare. Jam gjithashtu i bindur se do të jemi në gjendje të zhvillojmë më tej marrëdhëniet e shkëlqyera dhe konstruktive ndërmjet qeverive tona për të mirën e qytetarëve të të dyja vendeve tona”, ka shkruar ministri Koenders. /Telegrafi/