Dikur kandidate për të organizuar lojërat olimpike dimërore, ndërsa sot, Kodra e Diellit është mbase një relikt i mbetur nga e kaluara, të cilën të gjithë e lakmojnë, por askush nuk përkujdeset për të.
E ndodhur në malin Sharr, kjo qendër skijimi nga më të njohurat në ish-Jugosllavi, sot ka mbetur më e njohur për pakujdesinë ndaj saj, ngecjen dhe ngadalë edhe humbjen si një potenciam i rëndësishëm turistik, shkruan Telegrafi Maqedoni.
Një peizash i mahnitshëm natyror, me disa hotele, shtëpiza, ski lifte, një teleferik që nuk funksion, një kishë e ngritur si me qëllim të keq, e një xhami e nisur si për inatë të kishës, me ndërtime të shumta, por që asnjëra nuk ndihmon që kjo qendër të ringritet dhe të shkëlqej si dikur.
Destinacioni turistik ka ngecur në kohë, dhe faji për këtë mbetet jetim. Ata që shprehen për t’u kujdesur, për ta ringritur, e thonë këtë sa për fjalë pazari, për të mbledhur ca vota dhe për ta lënë sërish ashtu siç edhe ka mbetur, relikt i së kaluarës.
Në ditën e parë të këtij fillimviti, Telegrafi Maqedoni vizitoi Kodrën e Diellit ku u përball me kolonë të gjatë veturash, që arriti deri te hyrja e ”Luginës së Ambasadorëve” (guri i Sidollit). Natyrisht se kjo do të mund të mos ndodhte nëse teleferiku do të ishte funksional. Në këtë rast, nuk ka nevoj që qytetarët të marrin veturat dhe të ngjiten lartë, pra teleferiku do të hiqte kolonën, ndërkaq do të pakësohej edhe ndotja e ajrit nga tymi i veturave.
Një vendparkim veturash do të ishte ndihmë shtesë, diçka e premtuar, por jo e realizuar.
Qeverisjet e kaluara premtuan deri 60 milionë euro investime, por nuk janë bërë as 6 milionë. U premtua ndërtimi i një impianti për prodhimin e dëborës artificiale. Nisën punimet dhe ndaluan. Askush nuk jep sqarime se çfarë ndodhi. Sigurisht se ky impiant do të ndihmonte shumë pasi që vitet e fundit në Kodrën e Diellit ka mungesë të dëborës.
U premtuan korsi të reja skijimi, e skilifta të rinj. Një i tillë, me gjashtë ulëse, filloi të ndërtohet, por punët ndaluan sepse diçka nuk ishte në rregull. Rifilluan punët sa për të tentuar të shpëtohet diçka nga sezona e radhës, përsëri punët ndaluan. Faji hidhet nga një fushë në tjetër, luhet ping pong.
Qeverisja e tanishme vendosi që përkujdesësin e Kodrës së Diellit ta ndryshojë, një hap i konsideruar pozitivisht, megjithatë kjo nuk solli diçka të re, Kodra e Diellit mbeti ashtu siç është.
Pritshmëritë janë të shumta, turistë me bollëk, madje edhe nga jashtë vendit, të cilët vërehen teksa flasin në gjuhën italiane, franceze, gjermane, norvegjeze e angleze.
Kështu do të vazhdojë saga e Kodrës së Diellit, premto shumë, mos realizo asgjë.
Të gjithë jemi në pritje të ringritjes dhe shkëlqimit të Kodrës së Diellit. Se kur do të ndodhë kjo gjë nuk mund ta parashikojmë. Premtimet vazhdojnë, rezultati mbetet zero./Telegrafi/