Vendimin e Qeverisë që Elem Turs të ndahet nga SHA Elektranat e Maqedonisë së Veriut dhe më pas të fillojë procedura për kalimin e Kodrës së Diellit në partneritet publiko privat e kanë përshëndetur nga iniciativa “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit”. Nga atje thonë se kjo edhe ka qenë kërkesa e tyre e parë që nga dalja e skenë. Por Hamdi Sulejmani thotë se ata do të ndjekin e gjithë procedurën, pasi që kompania e cila do të zgjidhet duhet të jetë kompani që menaxhon Qendra Turistike dhe jo ndonjë kompani që paraqitet si e huaj, a në realitete prapa saj qëndrojnë politikan apo persona të afërt me politikën.
“Koncesioneri duhet të ketë dy apo tre referenca që punon në Ballkan apo në Evropë prandaj edhe ne si iniciativë kemi kërkuar pjesëmarrjen në ato komisione që të shihet mirë se si të përgatitet edhe dokumentacioni për koncesionimin. Cilët do të jenë kriteret për të konkurruar koncesionerët dhe nuk do të lejomë në asnjë mënyrë që të konkurrojnë vetëm me emra apo kompani nga jashtë edhe pas shpine tu qëndrojnë njerëz biznesmen apo politikan nga vendi apo rajoni”, tha Hamdi Sulejmani nga iniciativa “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit”.
Sipas Sulejamnit, që Qeveria të ketë sukses do të duhet që fillimisht të ndërtojë teleferikun Tetovë – Kodra e Diellit pasi, siç thotë, kështu edhe më lehtë do të mund edhe të tërheqin investitor të huaj.
“Një ditë e më herët ata të fillojnë me procedurën e dokumentacionit teknik, është më mirë edhe për ata pasi që nesër do të kenë një bazë më të fortë për të ofruar në koncesion. Teleferiku është edhe elementi kryesor që të zgjedh problemin e Kodrës së Diellit”, shtoi Hamdi Sulejmani nga iniciativa “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit”.
Kolonat e gjatë në Kodrën e diellit për shkak mos pasjes së parkingjeve dhe mos-investimi me vite të tëra, bëri që aktivistët vazhdimisht të protestojnë për këto çështje. Partitë politike vite me radhe janë zotuar se Kodra e Diellit do të jetë pikë turistike, ndër më të njohurat në Evropë, por gjatë ditës së djeshme Qeveria solli vendim që Kodra e diellit t’i hiqet nga duart Elem Tursit./TV21/