Site icon Telegrafi

Kodi i veshjes në gjyqësorin e Kosovës: Funde nën gjunjë pa prerje apo hapje, thonj me madhësi normale, grim natyral…

Foto: Arkiv

Veshje të pastra, pa njolla, pa vrima ose grisje, funde nën gjunjë – pa prerje apo hapje, thonj me madhësi normale, grim natyral, ndalim i shapkave e veshjeve sportive… janë vetëm disa nga përcaktimet e parapara me draft-Kodin e veshjes dhe paraqitjes në vendin e punës në gjyqësorin e Kosovës.

Me këtë draft-Kod, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) po synon që për herë të parë të kodifikojë me një akt të unifikuar veshjen dhe paraqitjen.

E lidhur me këtë, KGJK-ja ka njoftuar se tashmë ndodhet në fazën e konsultimit publik, me ç’rast ka ftuar të gjithë profesionistët e interesuar që të paraqesin komentet apo sugjerimet e tyre për përmirësimin e draftit të kësaj rregulloreje deri më 23.08.2024.

Komentet dhe sugjerimet për këtë draft të rregullores, sipas njoftimit, mund të dërgohen në e-mail-in e KGJK-së: kgjk@rks-gov.net.

Sipas memorandumit shpjegues, projekt-Kodi në fjalë ka për qëllim të përcaktojë rregullat dhe standardet për veshjen dhe paraqitjen personale të të gjithë të punësuarve në sistemin gjyqësor si dhe përcaktimin e masave disiplinore për mosrespektimin e tyre.

Projekt-Kodi do të zbatohet gjatë kryerjes së aktiviteteve zyrtare dhe protokollare nga të gjitha strukturat e sistemit gjyqësor, përfshirë, Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe njësitë e tij, Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe Sekretariatin e tij, të gjitha gjykatat në vend, si dhe të angazhuarit brenda këtij sistemi.

Tutje projekt-Kodi përfshin edhe veshjet e pjesëmarrësve në procedura rekrutimi, qoftë në test me shkrim, intervistë me gojë apo ngjarje tjetër të organizuar nga Këshilli apo gjykatat.

Në dispozitat përfundimtare përfshihen masat disiplinore në rast të çfarëdo shkeljeje apo mosrespektimi të Kodit dhe sqarohet çështja e përgjegjësisë së monitorimit, mbikëqyrjes dhe zbatimit të tij.

Për të lexuar draft-Kodin klikoni këtu.

Exit mobile version