Patëm rastin ta shikojmë edhe ne në Shqipëri, në kinemanë Imperial, filmin “Kodi i Jetës”, të dramaturgut dhe regjisorit të mirënjohur Ekrem Kryeziu. Tema e filmit është mbështetur në ngjarjet e luftës së popullit të Kosovës kundër barbarizmave serbe në vitin1999. Qysh në fillim të filmit, një nga personazhet – që është edhe komandant i një njësiti të luftës çlirimtare – thekson idenë madhore të filmit, në porosinë që i jep nuses së re: ”Ma ki kujdes djalin”. Dhe, vetëtimthi mendja na shkon te “Epoka para gjyqit”, ku shqiptari nga Kosova, nga qelia e burgut i thotë të shoqes: ”Amanet djalin Hajrie”!
Gjatë masakrave barbare të ushtrisë serbe, familja e komandantit vritet së bashku me djalin që la kur iku në mal, dhe groposen në varre masive. Përmes një sërë barbarizmash për shfarosjen e fshatrave shqiptare dhe varrimeve masive, regjisori Kryeziu ka meritën të na shpalos të madhërishmen – Pavdekësinë. Kjo kategori estetike vjen më shumë jo vetëm përmes një konvencioni artistik, refleks i së kaluarës historike, por edhe si shtysë e së vërtetës jetësore e frymëzuar nga ngjarjet aktuale. Në film, elementët realë ndërthuren me ato të legjendës, për të provuar artistikisht se qëndresa e popullit të Kosovës – në këtë luftë 100 vjeçare me barbarët serbë – mbetet legjendare.
Vazhdimësia e jetës së kësaj fëmije, si simbol i vazhdimësisë së etnisë shqiptare, mbetet qëllimi i të dy personazheve, ideali i jetës së tyre, njëkohësisht ai mbetet edhe mesazhi i madh i autorit të filmit.
Së pari, ai thekson se për të rezistuar duhet të kundërpërgjigjesh me po ato mjete që përdor kundërshtari. Në përpjekjet mbinjerëzore të të dy personazheve kryesorë mishërohet edhe kontributi ityre në luftën për çlirimin e Kosovës.
Së dyti, ai nënvizon me gjuhën artistike objektivin strategjik të barbarëve, lufta e përhershme e të cilëve, e fshehtë ose e hapur, kundër të ardhmes së Kosovës, ka qenë dhe do të jetë edhe në të ardhmen konstante – ndërprerja e vazhdimësisë së etnisë shqiptare. Por, në film jeta shqiptare triumfon, dhe e ardhmja paraqitet me tone optimiste, si dëshmi e një populli të pamposhtur dhe përjetësisë së tij
Kryeziu nuk ka për qëllim të japë tërë luftën e UÇK-së, jehona e së cilës për shikuesin ndjehet në çdo sekuencë filmike. Ajo është e pranishme, sepse është ajo që u jep forcë dhe shpresë të dy personazheve kryesorë që kanë ndërmarrë udhëtimin legjendar. Thënia e personazhit kryesor, Lan Druvarit – në interpretim të hollë të aktorit të mirënjohur Xhevat Çorraj – drejtuar vajzës se “ne nuk mund të bëjmë pa njëri-tjetrin”, është mesazhi madhor që u drejton Kryeziu tërë shqiptarëve. Pra, nuk mund të bëjnë brezat pa njeri-tjetrin; nuk mund të bëjë e sotmja dhe e ardhmja pa të djeshmen; nuk mund të bëjë e tëra pa pjesëzën; nuk mund të bëjë e përditshmja pa eksperiencën, pa sakrificën, pa bashkimin e forcave të gjithëve… Sepse, vetëm kjo siguron vazhdimësinë e etnisë sonë.
Meritë e regjisorit Kryeziu është se imazheve të marra nga jeta u jep një karakter figurativ, duke e lëvizur semantikën dhe domethënien letrare nga rrafshi i një trajtimi dramatik e psikologjik në një kuadër historik me kuptime metaforike. Përmes regjisurës së tij ai krijon tension, duke përafruar realitetin e atyre viteve.
Për sa i takon kodeve filmike, Kryeziu i shmanget klisheve, retorizmave. Ai, përmes imazheve tronditëse paraqet përjetime reale dhe emocionale. Në regjinë e filmit ka një gjuhë artistike me ide të shkrira në tërësinë e subjektit, ka imazhe që më flasin më shumë se fjalët, prandaj në to ka pak tekst. Këtu vlen të theksohen skenat e dhunimit, vrasjes pas shpine, dëbimeve biblike – sa me pushkatime sa me traktorë apo me trena. Pamjet lëvizin në një gamë të gjerë figurative që tejkalojnë fuqinë e fjalës.
Dëshmi krijuese për këtë është kontrasti tronditës midis vendit të lulëzuar, peizazheve të bukura, që sjellin një qetësi shpirtërore dhe barbarizmave serbe. Planet janë të alternuara, të bukura, dhe fitojnë vlera artistike (veçanërisht ujëvara e shkumëzuar flet artistikisht për vazhdimësinë e jetës).
Një meritë të madhe kanë aktorët të cilët përcjellin gjithçka, që lidhet me personazhet, me idetë, mendimet, ndjenjat, konfliktet, gjendjet shpirtërore… Ata janë pranë të vërtetës jetësore, sa ekspresiv nga pikëpamja e imazhit, aq edhe humanë në mënyrën e komunikimit dhe transmetimit të mesazhit të filmit. Ata kanë arritur të mishërojnë karaktere origjinale, si Xhevat Çorraj, Çun Lajçi, Bubulina Lajçi apo Albulena Kryeziu, Fatime Sefaj, Shpejtim Kastrati apo Ilir Tafa dhe Mentor Zymberaj. Secili nga ata, në mënyrë të vetë, kanë karakteristika të veçanta që e bartin peshën e filmit duke e shtjelluar porosinë ideore dhe filmike të Kryeziut: kush më shumë, e kush më pak, por të gjithë së bashku punën e tyre e bëjnë në mënyrë të besueshme.
Skenaristi dhe regjisori Kryeziu, së bashku me tërë ekipin e aktorëve dhe atë teknik, na kanë dhënë një film të realizuar artistikisht që do të shërbejë jo vetëm për vlera estetike, por edhe për të dëshmuar për atë periudhë historike tragjike të popullit shqiptar të Kosovë.