Site icon Telegrafi

Kodet, rregullat dhe Urdhrat e Shenjta: Disa të vërteta rreth MAFIA-s italiane

Mafia është një term shumë i përhapur në botë për të përkufizuar organizata kriminale. Mafia ka një traditë dhe histori të gjatë.

Sipas legjendës urbane fjala ”MAFIA” për herë të parë është përdorur gjatë revoltit sicilian kundër sunduesve francez më 30 mars 1282. Për t’i rezistuar këtij pushtimi, në Sicili u krijua një organizatë e cila quhej “Morte Alla Francia Italia Amella” që kishte kuptimin “Vdekje për Francën, Italia thërret”.

Nga shkronjat e para të fjalëve që e përbëjnë emërtimin e kësaj organizate është sajuar emri Mafia. Megjithatë kjo teori hidhet poshtë nga shumë historian në ditët e sotme.

Disa të tjerë theksojnë se fjala mafia vjen nga fjala arabe “mahias” që do te thotë guxim ose njeri i guximshëm.

Po ashtu disa autorë të tjerë mendojnë se fjala mafia vjen nga fjala tjetër arabe “muafas” që do të thotë të kujdesesh, t’i vësh nën mbrojtje anëtarët e familjes, të klanit, ti disiplinosh, ti kesh nën kontroll, etj.

Në fjalorin siciliano-italian të vitit 1868, fjala mafia shpjegohet si neologjizëm i cili do të thotë manifestim i trimërisë dhe guximit, ndërsa në fjalorin e botuar në vitin 1876 kjo paraqitet si sinonim për fjalën bandë-organizatë apo grup i fshehtë i organizuar për qëllime të caktuara.

Struktura

Mafia italiane por edhe mafiat e tjera nuk kanë një strukturë organizative të thjeshtë por është një shoqatë e përbërë prej një numri të madh të grupeve të ashtuquajtura klane ose familje.

Çdo familje është e udhëhequr nga Shefi ose Bosi ose i ashtuquajturi Don i cili sundon si diktator.

Varësisht prej familjes edhe Doni zgjidhet në forma të ndryshme. Doni merr përqindje nga fitimet e të gjithë pjesëtarëve të familjes.

Nën shefi është urdhri i dytë në familje i cili zakonisht emërohet nga Doni i familjes. Ai është i përgjegjshëm për të gjithë Kapot të cilët janë nën urdhrin e Donit. Në rast të arrestimit ose vdekjes së Donit, Nënshefi është i pari në listë për të marrë pozitën e tij derisa ai u mungon ose përgjithmonë.

Consigliere ose Këshilltari është personi i cili këshillon familjen dhe gjithashtu është i njohur si krahu i djathtë i Donit. Ata përdoren si ndërmjetësues nëpër diskutime dhe përfaqësues të familjes në mbledhjet me familjet tjera. Për Këshilltar, Doni emëron dikë tek i cili ka më tepër besim.

Caporegime ose Capo është i përgjegjshëm për grupet e ushtarëve të cilët i raportojnë direkt atij. Çdo grup zakonisht përbëhet nga 10 deri më 20 ushtarë.

Kapoja emërohet nga Doni ose Nënshefi dhe u raporton atyre. Atyre mund tu jepen detyra si vrasje dhe rekrutim. Nëse një Kapo bëhet i mjaft i fuqishëm ai mund të kalojë edhe superiorët e tij. Ai mund të zë edhe vendin e Donit nëse Doni i mëparshëm vdes.

Soldato ose Ushtar është pjesëtar i familjes dhe sipas traditës ai duhet të jetë italian ose të paktën të jetë italian nga ana e babait. Njëherazi kur një anëtarë është i “bërë” ai është i paprekur që d.m.th se përpara se një ushtar të vritet duhet njëherë të bisedohet me Kapon e ushtarit ose Donin. Kur lirohet një vend në familje Kapot mund të propozojnë një anëtar të ri. Ata janë të quajtur si “Njerëz të Krijuar” të cilin epitet e merr duke bërë një vrasje me urdhër të superiorëve. Të jesh i krijuar d.m.th fillimi por jo përfundimi i karrierës mafioze.

Associate ose Shoqëruesit nuk janë anëtarë të familjes dhe roli i shoqëruesit është i ngjashëm me atë të njeriut të porositur. Zakonisht shoqërues janë joitalian të cilët asnjëherë nuk shkojnë më larg se kaq. Ato kryejnë punë për të ndihmuar anëtarët e familjes ose janë njerëz me të cilët familja ka aktivitet. Në raste tjera Shoqërues janë edhe biznesmenët e korruptuar dhe përfaqësuesit e unionit.

Rituali i fillimit

Të gjithë mafiozët për tu bërë anëtarë të plotë të Mafisë duhet të kalojnë një ritual. Ai ftohet në një “festë”. Ai dërgohet në një dhomë në të cilën shumë mafioz rrinë ulur në një tavolinë tek e cila ka një pistoletë, një thikë dhe një fotografi të një shenjtori. Ato e pyesin për dedikimin e tij dhe ndjenjat e tij në lidhje me kriminalitetin dhe vrasjet. Kur konfirmon gjithçka, Doni merr një gjilpërë dhe bën një vrimë në gishtin e personit. Personi njollos me gjakun nga gishti fotografinë e shenjtorit, të cilën ai e mban në duart e mbledhura derisa Doni e djeg. Doni atëherë thotë: “Nëse ti e tradhton Mafian, mishi yt do të digjet si ky shenjtor”.

Prezantimi

Një mafioz nuk duhet të prezantojë veten para një mafiozi tjetër. Atë duhet ta bëjë një mafioz i tretë i cili është i njohur nga të dy mafiozët.

Omerta-Kodi i heshtjes

Omerta është kodeksi i heshtjes i cili i ndalon mafiozët që të tradhtojnë partnerët e tyre tek autoritetet. Dënimi i tradhtisë është vdekja e tradhtarit dhe e familjes së tij.

10 Urdhrat e Shenjta

Në nëntor të vitit 2007, pas arrestimit të Salvatore Lo Picolo (do të sqarojmë më vonë se kush është), policia siciliane gjeti një dokument që përmbante “Dhjetë Urdhrat” në vendin ku strehohej ai. Ata janë udhërrëfyes si të bëhesh një mafioz i mirë, i respektuar dhe i ndershëm.

1. Askush nuk duhet ta prezantojë veten drejtpërdrejt para ndonjërit nga miqtë tanë. Duhet të ketë një palë të tretë për ta bërë këtë.

2. Asnjëherë mos shiko gruan e mikut tënd.

3. Mos lejo të të shikojnë me policë.

4. Mos shko nëpër klube.

5. Të jesh gjithmonë i disponueshëm për Cosa Nostrën është detyrë-edhe nëse gruaja është duke lindur.

6. Takimet duhet të respektohen plotësisht.

7. Bashkëshortet duhet të trajtohen me respekt.

8. Kur pyetesh për ndonjë informacion, duhet të tregohet gjithmonë e vërteta.

9. Paratë nuk janë të duhura nëse i përkasin të tjerëve apo familjeve të tjera.

10. Njerëzit të cilët nuk mund të jenë pjesë e Cosa Nostrës: Çdokush që ka lidhje të afërta me policinë, çdokush që mban marrëdhënie të paplota me familjen, çdokush që sillet keq dhe nuk i ruan vlerat morale. /lapsi.al/

Exit mobile version