Site icon Telegrafi

Koçinski nga ISHP: Pritet ulje graduale e rasteve me grip, vaksinat kanë treguar mbrojtje tek grupet e rrezikuara

Jemi ende në një përhapje të gjerë gjeografike, por me aktivitet mesatar të virusit të gripit. Sipas të dhënave historike pritet një rënie graduale dhe të dalim nga kjo periudhë, deklaroi sot shefi i Departamentit të Epidemiologjisë në Institutin për shëndet publik, dr. Dragan Koçinski.

Ai u pyet se si është situata aktuale me gripin, pasi në vend për një periudhë të caktuar ka pasur një rënie të lehtë të numrit të të infektuarve dhe sipas të dhënave të sotme ka sërish rritje.

Instituti kumtoi se në javën e tetë të viti 2025, u raportuan 3,035 raste të raportimeve grupore për të sëmurë nga gripi – sëmundje të ngjashme me gripin, një rritje prej 11,3 për qind krahasuar me javën e kaluar. Numri i rasteve të raportuara për atë periudhë, krahasuar me javën e tetë të sezonit të kaluar, është rritur për 3,7 herë, ndërsa krahasuar me numrin e javës së tetë të kurbës tipike të epidemisë – modeluar nga 14 sezonet e fundit, është rritur për 25,6 për qind. Nga data 17 deri më 23 shkurt është raportuar një vdekje e lidhur me gripin. Bëhet fjalë për një person 78-vjeçar nga Shkupi, i cili është shtruar në Klinikën Universitare për Pulmologji dhe Alergologji. Te personi i vdekur u konstatua prani e komorbiditeteve dhe nuk ishte vaksinuar kundër gripit sezonal.

“Ajo që ne apelojmë që në fillim të sezonit është respektimi i masave të përgjithshme parandaluese për sëmundjet e frymëmarrjes në përgjithësi, ku përfshihet edhe gripi. Shmangia e kontaktit me persona të sëmurë, shmangia e hapësirave me numër të madh njerëzish, ajrimi i shpeshtë i hapësirave ku qëndroni, qëndrim në ambient të ngrohtë në ditët e ftohta të dimrit dhe konsumimi i produkteve të freskëta të pasura me vitamina dhe minerale – fruta dhe perime. Nëse shfaqen simptoma, shmangni kontaktin me persona të tjerë, mos i rrezikoni, qëndroni në shtëpi, pini shumë lëngje dhe sigurisht nëse simptomat përkeqësohen, kontaktoni menjëherë mjekun tuaj amë ose specialistin infektolog”, theksoi Koçinski.

Numri i përgjithshëm i rasteve me grip dhe sëmundje të ngjashme në sezonin 2024/2025 është 17.375, theksojnë nga Instituti. Krahasuar me të njëjtën periudhë të sezonit të kaluar, numri i rasteve të raportuara është rritur për 36,4 për qind dhe krahasuar me modelin e 14 sezoneve të fundit, është regjistruar një rritje prej 12,3 për qind. Deri më tani këtë sezon të gripit, janë regjistruar tre vdekje të lidhura me gripin.

Nga Instituti përsëri theksuan se vaksinimi kundër gripit sezonal është mbrojtja më efektive kundër kësaj sëmundjeje. Instituti rekomandon vaksinimin e të gjithë popullatës, veçanërisht të personave që i përkasin të ashtuquajturave grupe të rrezikut – sipas rekomandimeve të OBSH-së: të moshuarit – mbi 65 vjeç, fëmijët nga gjashtë deri në 9 muaj, personat mbi gjashtë muaj me sëmundje kronike, gratë shtatzëna, si dhe punonjësit shëndetësorë.

Që nga java e tetë, gjithsej 72 293 persona në vend janë vaksinuar me vaksina falas ose komerciale kundër gripit.

Exit mobile version