Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Koçijançiq, ka thënë se çështja e statusit përfundimtar të kombinatit “Trepça” duhet të zgjidhet nëpërmjet një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit.
Kocijançiq në një përgjigje për mediumin serb Tanjug, ka thënë se të gjitha çështjet e pazgjidhura në mes të dy palëve duhet të zgjidhen nëpërmjet finalizimit të dialogut.
“Bashkimi Evropian si ndërmjetësues i dialogut, ka për qëllim që të gjitha çështjet e hapura ndërmjet dy shteteve, t’i zgjidhë nëpërmjet një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, ka thënë Kocijançiq, e pyetur për pasojat që mund të ketë miratimi i statutit për “Trepçën” që u votua para pak ditësh në Kuvendin e Kosovës dhe për fatin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Po ashtu, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se ngecja aktuale e dialogut mund të tejkalohet vetëm kur Prishtina ta heq taksën 100 për qind për mallrat nga Serbia dhe mos ndërrimin e statutit të “Trepçës”.
Ndryshe, Kuvendi i Kosovës më 2 shkurt ka miratuar statutin e kombinatit “Trepça”, ku 80 deputetë votuan pro, 2 ishin kundër, ndërsa 3 abstenuan. Lidhur me këtë kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka thënë se me votimin e statutit të “Trepçës” është zgjuar gjiganti kosovar. /Telegrafi/