Site icon Telegrafi

Koci: Të tregojë PDK-ja pse nuk u emërova ministër

Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Gani Koci, ka folur rreth vendimit të fundit, të dy liderëve të partive në pushtet, për plotësimin e posteve qeveritare pas shkuarjes së Hashim Thaçit president, ku emri i tij ishte propozuar në kryesi të PDK-së për postin e ministrit të Drejtësisë.

Koci, i cili aktualisht mban postin e zëvendësministrit të Zhvillimit Ekonomik, në intervistën dhënë gazetës “Epoka e re” ka bërë me dije se për mos emërimin e tij në postin e ministrit të Drejtësisë duhet të japë sqarime kryesia e PDK-së, pjesë e së cilës është vet.

Koci ka treguar se kryesia e PDK-së më 13 maj kishte marrë vendim që ai së bashku me Hajredin Kuçin dhe Enver Hoxhajn të jenë të nominuarit e PDK-së për postet që duheshin plotësuar në Qeveri, pas kalimit të Thaçit në Presidencë.

Ai ka thënë se vendimi i kryesisë së PDK-së për ta propozuar për ministër të Drejtësisë është përkrahur në mënyrë unanime.

“Se pse nuk jam emëruar ministër i Drejtësisë për këtë duhet të tregojë partia kur të shtrohet kjo çështje në kryesi. Në këtë drejtim konsideroj se vendimi i kryesisë së PDK-së i datës 13 maj, i cili u konfirmua edhe më 19 maj, që unë të jem i nominuar për postin e ministrit të Drejtësisë, është akoma në fuqi, pasi nuk është shfuqizuar me asnjë vendim tjetër”, ka thënë Koci.

Ai ka vlerësuar se askush zyrtarisht nuk i ka thënë se emri i tij është i padëshirueshëm nga ndërkombëtarët.

“Informata zyrtare për këtë çështje nuk kam prej askujt. Kurse informata jozyrtare ka pasur që kanë qarkulluar se, gjoja unë nuk jam i përshtatshëm për ndërkombëtarët. Prandaj, do të dëshiroja t’u bëj thirrje ndërkombëtarëve, të gjithë atyre që emrin tim e kanë gjetur si të papërshtatshëm për këtë post, të japin një sqarim për opinionin”, ka thënë Koci, duke siguruar qytetarët se në biografinë e tij për asnjë rast nuk do të mund të gjendet ndonjë element kriminal.

Pavarësisht kësaj situate, Gani Koci thotë se, meqenëse ministri i Drejtësisë akoma nuk është zgjedhur dhe nëse kryesia e PDK-së edhe më tutje pretendon që të zbatohet ky vendim, që ai ta drejtojë ministrinë e Drejtësisë, nuk do ta pranonte një gjë të tillë.

“Unë nuk do të pranoj të jem pjesë e këtyre marifeteve, pazareve apo vendimeve të reja, ani pse ende nuk e di se nga kush vijnë këto”, ka thënë Koci.

Koci ka thënë se ky vendim nuk do të ndikojë që t’i shkojë mendja për t’u larguar nga PDK-ja.

Exit mobile version