Avokati Arianit Koci thotë se Kosova është në fazën finale të themelimit të Gjykatës Speciale dhe deri në fund të vitit 2016 do të kemi edhe aktakuzat e para.
Këto komente avokati koci i bëri në misionin Ora e Fundit në Klan Kosova, duke folur për këtë çështje pas lajmit se Presidentja Atifete Jahjaga ka ratifikuar marrëveshjen ndërkombëtare me Holandën mbi organizimin e institucionit të Gjykatës Speciale.
“Tash pritet të ratifikohet marrëveshja edhe në Parlamentin holandez, proces që mund të shkojë deri në dy tre muaj, por jemi në fazën finale të Gjykatës Speciale dhe deri në fund të këtij viti do t’i kemi aktakuzat e para dhe të dyshuarit do të paraburgosën e do të dërgohen në Holandë”, ka shpjeguar Koci.
Koci ka thënë se ekziston rrezik i madh që shteti i Serbisë të involvohet në këtë proces dhe të prezantojë dëshmi të rreme, derisa avokati është shprehur i shqetësuar me faktin se në trupën gjykuese të Gjykatës Speciale nuk do të ketë asnjë shqiptarë.
“Ne nuk kemi besim që Serbia nuk do të ndërhyjë në drejtësi me dëshmitarë dhe dëshmi të falsifikuara, prandaj unë frikësohem se Serbia do të vazhdojë me ketë qasje, sepse kjo është luftë speciale e Serbisë dhe është më e përgatitur se ne”, tha ai.
“Unë kam qenë kundër kësaj Gjykate, sepse gjithmonë kam dashur që të ketë edhe gjyqtarë ose prokurorë shqiptarë, por nuk e kanë lejuar dhe kjo do të na shkaktojë problem të mëdha”.
Koci ka thënë se ai nuk do të ishte kundër një Gjykatë që do të gjykonte elementët e dyshimtë brenda Ushtrisë Çlirimtar të Kosovës, nëse ato ekzistojnë, por, sipas Kocit, Specialja do të bazohet potencialisht edhe në “prova të falsifikuara të Serbisë”.
Koci tha se do të ishte fatale nëse dënohen shumë komandantë të UÇK-së, sepse imazhi i luftës së pastër do të venitej, por ai pohoi se beson fort se të gjithë ata që do të gjykohen do të dalin faqebardhë.