Teksa u diskutua takimi i kryeministrit Edi Rama në Selanik ditën e diel, deputeti i PS Petro Koçi u shpreh se në shtetin fqinj ka “antishqiptarizëm të organizuar”.
Ai solli edhe një herë në vëmendje Fredi Belerin, i cili u mbështet nga PD kur kandidonte për kryetar të bashkisë së Himarës.
Koçi theksoi se ajo që ka bërë Sali Berisha teksa ka mbështetur Belerin është shumë më e rëndë se dosja Partizani për të cilën ai akuzohet, shkruan A2 CNN.
“E vërteta është se në Greqi ka antishqiptarizëm, madje antishqiptarizëm të organizuar. Këtë e kemi parë edhe me zhvillimet që ndodhën në Bashkinë e Himarës ku u kandidua një person që përfaqëson një flamur si ai i Vorio Epirit, i cili në fund të fundit vë në pikëpyetje tërësinë territoriale të Shqipërisë dhe fatkeqësisë gjeti mbështetje dhe në politikën shqiptare. Unë do të thosha që ajo që ka bërë Berisha me klubin “Partizani” është një hiç përballë asaj që kandidoi në Himarë një person si Fredi Beleri”.
“Kjo është shumë e rëndë nga pikëpamja e një intesi kombëtar. Nuk janë të çuditshme edhe këto miniprotesta në Selanik. Unë mendoj se ajo që investoi Rama në raport në marrëdhënien shqiptaro-greke ishte në lartësinë e duhur. Përveç këtyre, ne e konsiderojmë Greqinë një partnerë strategjik”, tha Koçi.