Telegrafi

Koci: Luani i cili po mbahet i mbyllur në një kafaz në Zhegër, është futur ilegalisht në Kosovë – të konfiskohet

Avokati Arianit Koci, ka bërë të ditur se një luan i cili po mbahet i mbyllur në kafazin e një restoranti në fshatin Zhegër të komunës së Gjilanit dyshohet se është futur në Kosovë në mënyrë ilegale.

Koci, përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se ky luan është sjellë në Kosovë në kundërshtim me nenin 10 të ligjit për përkujdesjen ndaj kafshëve.

“Luani i Gjilanit si po e quajnë kollokvialisht, është sjellë në Kosovë në kundërshtim me nenin 10 të Ligji Nr. 02/L-10 PËR PËRKUJDESJEN NDAJ KAFSHËVE, i cili në mënyrë eksplicite e ndalon importimin, shitjen apo mbarështimin e kafshëve agresive, që mund të paraqesin rrezik për sigurinë dhe shëndetin e njeriut apo kafshëve tjera”, ka shkruar Koci, njofton Telegrafi.

Ai ka kërkuar urgjentisht, të fillojnë procedura e konfiskimit të luanit – “dhe të vazhdohet me procedurën e ekstradimit në ndonjë azil”.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve.

Përmes një njoftimi, thonë se do të kërkojnë përveç nga shteti edhe nga organizatat ndërkombëtare që të ndërhyjnë në mënyrë që ta nxjerrin luanin nga ai vend.

“Avokatët e Fondacionit për të Drejtat e Kafshëve do të shqyrtojnë ligjet në fuqi dhe do të veprojmë në të mirën e luanit që mbahet në kafaz të vogël, sa më shpejt që të jetë e mundshme. Mbajtja e kafshëve në këtë mënyrë, importimi i tyre (me gjasë edhe i jashtëligjshëm) tregojnë mirë sa i dobët është shteti në mbikëqyrje të situatave të tilla. Shpresojmë edhe në vëmendje të organizatave ndërkombëtare në mënyrë që ta nxjerrin luanin nga ai vend”, thuhet në reagimin e tyre.