Site icon Telegrafi

Koalicionin LDK-PDK e kishte quajtur “Guns N’Roses”, Haziri i vë një emër edhe koalicionit të mundshëm LDK-VV

Shefi i Shtabit të LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se në ditët në vijim do të ketë takime të tjera në mes të zyrtarëve të partisë pjesë e së cilës i takon dhe atyre nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Përpjekje do të ketë sepse vullnet ka. Do t’i lusja palët që vullnetin të mos e nëpërkëmbin. Jo gjithherë e kemi pasë këtë vullnet, por neve po na thërret qytetari. Jemi të gatshëm që të ulemi dhe ta mbyllim çështjen e koalicionit parazgjedhor”, ka thënë Haziri, njofton Klan Kosova.

Haziri i cili njihet se u ka vënë emra koalicioneve partiake në të kaluarën, sikur ai në mes të LDK-së dhe PDK-së që e pati quajtur “Guns N’Roses”, atë të mundshmin në mes partisë që drejton Isa Mustafa dhe Lëvizjes Vetëvendosje ai e ka quajtur “Lidhja për Shtetin”.

“Lidhja për Shtetin” – ajo që na bashkon është lidhja për shtetin. Neve na bashkon plani kombëtar me Vetëvendosjen, më së shumti me Vetëvendosjen sesa me të tjerët. LDK çështjen kombëtare të shqiptarëve e ka pasë të definuar nga viti 1990. Nuk kemi asnjë lloj problemi në këtë raport”.

Sa i përket zgjidhjes së çështjes së dialogut me Serbinë, në një koalicion LDK-VV, Haziri është shprehur:

“VV është për korrigjim të kufijve, por në perëndim të Kosovës. Koncepti im është i qartë LDK ka treguar mirëkuptim. LDK e ruan kufirin e Kosovës, arritjen e 17 shkurtit dhe Republikën e Kosovës e sheh të paprekshme në sovranitet dhe territor”.

Exit mobile version