Kohëve të fundit janë shtuar zërat për ndryshime politike, koalicion te ri apo di[ka më shumë seç tani ekziston në pozitën politike Kosovare.
Prej zgjedhjeve të fundit e këndej janë zhvilluar shumë ngjarje politike në Kosovë, njëra ndër to marrëveshja për Presidenten, e cila “pa pritë e pa kujtua” u bë Presidente, si rezultat i kësaj marrëveshje dhe ambasadorit Dell i cili e futi në “zarf” si një zyrtare e policore dhe e nxori si kryetare shteti. Dikush i “mençur” apo me prapavijë politike kërkoj mendimin e Gjykatës Kushtetuese për mandatin e saj.
Në përvojat politike të vendeve të zhvilluara, marrëveshjet bëhen atëherë kur veprohet diçka politike e që nuk del jashtë Kushtetutës. Pra, kjo nuk është dashtë të shqyrtohet fare nga Kushtetuesja. Nëse Presidentja është futur në “zarf” me konsultim paraprak, ajo është dashur t’i dijë edhe kushtet apo elementet e marrëveshjes, sidomos atë për mandatin e saj. E nëse Delli se ka pyetur fare, ajo ka të drejt të mos ndihet palë në këtë marrëveshje.
Edhe pse Gjykata ka dhënë një mendim apo vendim për këtë, ajo mund ta zbatoj marrëveshjen, me dorëheqjen e saj.
Sfidat politike që po vijnë njëra pas tjetrës, në ballafaqim me Serbinë, kushtimisht kërkojnë forca për përballje. PDK e ka te domosdoshme zgjerimin apo përforcimin e koalicionit me ndonjë parti tjetër, e siç po rrjedhin gjërat ajo do të jetë AAK. Partia e Ramush Haradinajt çdo herë ka kërkuar kushte për një koalicion me PDK-ën, e ato janë: jo me Thaçin si kryeminister, me Ramushin si kryeminister , e tash së fundmi jo me anëtarë të ish SHIK-ut etj.
AAK po ngulë këmbë për postin e kryeministrit, përndryshe s’kanë asnjë motiv të hyjnë në koalicion. Për ta plotësuar këtë kusht, Thaçi duhet të kalojë nga kryeministri i vendit në president të vendit, prandaj marrëveshja për Jahjagën duhet të zbatohet, pra që ajo ta lirojë karrigen e të parit të vendit me dorëheqje. Për këtë arsye, të gjitha rrjedhat politike varen nga pozita e Presidentit.
Thaçi si president paraqet sfidë jo vetëm për të po edhe PDK-ën, sepse jo të gjithë të fuqishmit e saj pajtohen me këtë post. Por, ai është mësuar të kaloj sfida, e edhe këtë do ta kaloj pa problem! Mirëpo, për sfidën me Serbinë, duhet një pozitë me e fort në Parlament. Koalicioni i radhës shpresoj të mos jetë i tillë që të gjithë të thonë “e shitëm bashkë veriun e vendit”, por i tillë që të krenohemi me shtrirjen e autoritetit në tërë vendin.