Site icon Telegrafi

“Koalicioni” parazgjedhor

Dy partitë më të mëdha politike në Prizren, PDK-ja dhe LDK-ja, në zgjedhjet e lokale të 15 nëntorit, nuk do hyjnë në garën zgjedhore të frikësuar nga njëra-tjetra. Për largimin kësaj frikë të “tmerrshme” zgjedhore, duket se janë kujdesur vetë liderët e këtyre dy partive politike në Prishtinë. Ata pa pëlqimin e degëve të partive të tyre në Prizren, kanë arritur një “koalicion” parazgjedhor për ndarjen e pushtetit në këtë qytet.

Emërimi i kandidatëve për kryetar të Prizrenit, nga liderët e këtyre dy partive, pa pëlqimin e degëve, është treguesi më i mirë për krijimin e një koalicion të mundshëm parazgjedhor. Këshilli Drejtues i PDK-së në Prishtinë, të martën, mori vendim që në mesin e 16 të rikandiduarëve për kryetarë të komunave, të jetë edhe kryetari aktual i Prizrenit, Ramadan Muja, ndonëse Kryesia e Degës në Prizren, ka kohë që ishte përcaktuar për kryetarin e saj, deputetin e Parlamentit të Kosovës, Zafir Berisha.

Qëndrim të kundërt nga Dega në Prizren, javën e kaluar pat marrë edhe nënkryetari i parë LDK-së, Eqrem Kryeziu. Ai kandidat potencial për kryetar të këtij qyteti shpalli Hanifi Muharremin, ndonëse pjesa më e madhe e Kryesisë së Degës ishte përcaktuar pro kushëririt të tij, Fadil Kryeziut.

Me përzgjedhjen e këtyre dy kandidatëve, PDK-ja dhe LDK-ja, nuk do të mund të sigurojnë bindshëm fitoren në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, pasi që Muja dhe Muharremi nuk shihen si kandidatë, që mund të fitojnë shumë vota. Përveç kësaj, të dy partitë më të mëdha në këtë qytet në zgjedhjet e sivjetshme do të hyjnë me shumë pakënaqësi dhe kundërshtar të brendshëm.

Përderisa ende zyrtarisht kryetari i Degës së PDK-së, Zafir Berisha, nuk është prononcuar se a do të hapë krahun ndajë qëndrimit të Këshillit Drejtues të PDK-së në Prishtinë, dhe a do të marrë pjesë në fushatë krahë Ramadan Mujës, “rivali” i tij nga radhët e LDK-së, Fadil Kryeziu, tashmë ka ndarë mendjen se nuk do të jetë pjesë e ekipit të kandidatit për kryetar të Prizrenit, Hanifi Muharremi.

“Unë nuk dua të jem pjesë e ekipit, i cili padyshim do të sjellë për LDK-në e Prizrenit humbjen e radhës", është shprehur Kryeziu, i revoltuar me qëndrimin e Eqës. Ai ka vlerësuar se fitorja në Prizren ka një rëndësi të madhe për LDK-në, e veçmas për liderin saj, Fatmir Sejdiun, i cili dëshiron me çdo kusht që ta rikthejë forcën që kishte në këtë qytet para zgjedhjeve të vitit 2007, por sipas tij, një gjë e tillë nuk mund të arrihet me kandidatin e emëruar Hanifi Muharremin.

Për shkak të këtyre dallimeve dhe konflikteve të brendshme politike, alternativë të vetme për formimin e qeverisë lokale, pas zgjedhjeve të 15 nëntorit, nuk do të ketë tjetër, përveç, zyrtarizimit të “koalicionit” parazgjedhor… Pavarësisht arritjes së ndonjë “koalicioni” të mundshëm për ndarjen e pushtetit, kandidatët për kryetar të Prizrenit, Ramadan Muja (PDK) dhe Hanifi Muharrem i(LDK), nuk do të lënë gurë pa lëvizur për t’i bindur votuesit se janë “më të mirët”.

Të dy kandidatët gjatë fushatës zgjedhore do të mundohen të propagandojnë se qeveria e tyre ka qenë më efikase në përmirësimin e kushteve të jetës së qytetarëve. Nuk do të harrojnë pa ia rikujtuar njëri-tjetri krizat që kanë partitë e tyre politike dhe reflektimi negativ i tyre që është përcjellë gjatë qeverisjes.

Kandidati Muharremi (LDK), gjatë fushatës zgjedhore s’do mend se do t’ia rikujtojnë Mujës, problemet e formimit të qeverisë, të cilat u krijuan për shkak të përçarjes së PDK-së, marrjen dhe anulimin e shumë vendimeve, si dhe për shkelje të ligjit.. .Ndërkaq, si kundërpërgjigje e kryetari aktual Muja, kundër Muharremit, në mesin e shumë problemeve që e kanë përcjellë edhe LDK-në, mund të jetë edhe sabotimi i furnizimit të rregullt me uji të pijshëm, ku aktualisht është menaxher i “Hidroregjionit Jugor” në Prizren.

Megjithatë, pas gjithë (sh)fajësimeve për të bërat e tyre, të dy kandidatët pas 15 nëntorit, mund të jenë “ortak” të qeverisjes lokale. As PDK-ja dhe as LDK-ja, për shumë arsyeje rrezikojnë të mos mund t’i fitojnë votat e mjaftueshme për të formuar qeverinë pa ndonjë bashkëqeverisje me ndonjë parti politike. Arritja e një koalicioni në mes të këtyre dy partive, do të mbetet formula e vetme e qëndrueshme për formimin qeverisjes së ardhshme në Prizren…

Një opozitë të fortë!

Bashkimi parazgjedhor i disa partive të vogla në Prizren (LDD, AKR…), ndërkaq nuk do të mund të nxjerrë asgjë më shumë se sa një opozitë të fortë. Pozicioni i tyre mund të përforcohet edhe nga AAK-ja dhe PSK-ja, të cilat në zgjedhjet e 15 nëntorit do të garojnë pa ndonjë koalicion.

Kryetari i Degës së AAK-së, Bislim Zyrapi dhe ai i PSK-së,Skënder Berisha, edhe pse garojnë për herë të parë për kryetar të Prizrenit, do të arrijnë të fitojnë ulëse të “paparashikueshme” në Asamblenë e Komunale. Ata mund të jenë përfituesit më të mirë të konflikteve të brendshme të dy partive më të mëdha, PDK-së dhe LDK-së.

Formimi i një opozite të fortë do të ndihmojë qeverinë në zgjidhjen e problemeve të qytetarëve. Në dy vitet e qeverisjes së Ramadan Mujës, këshilltarët dhe anëtarët e LDK-së në Prizren, as minimumin nuk kanë arritur që të përdorin fuqinë opozitare. Mungesa e shfrytëzimit të opozitës më së miri i ka shkuar për shtati kryetarit të Prizrenit, Ramadan Muja. Atyre duket se u ka munguar guximi, dhe të metat eventuale që kanë vërejtur tek pushteti, jo vetëm që nuk kanë mundur t’i stopojnë, por nuk kanë arritur as t’i përcjellin si duhet deri tek qytetarët.

Prandaj, Kuvendit të Prizrenit i duhet edhe një opozitë e fortë dhe me vlera. Njerëz që kanë vizion dhe guxim…

Exit mobile version