Site icon Telegrafi

Koalicioni AAK-PSD shpalos programin për zhvillim ekonomik

Krijimi i fondit zhvillimor është masa e parë që do të ndërmarrë koalicioni AAK-PSD gjatë qeverisjes së ardhshme në nivel qendror.

Gjatë prezantimit të programit për zhvillimin ekonomik, kandidati i PSD-së për deputet Visar Ymeri, tha se ky fond do të ndihmojë bizneset dhe në krijimin e vendeve të reja të punës.

“Në sektorin e ekonomisë ka nevojë për ndërhyrje në mënyrë që të ndihmohet afarizmi i tyre dhe të krijohen vende të reja të punës. Ne kemi paraparë disa masa përmes të cilave ekonomia do ta ketë një zhvillim, një nga kryesoret është fondi zhvillimor. Do ta themelojmë menjëherë dhe do të jetë entitet i pavarur dhe nën mbikëqyrjen e Kuvendit. Fondi do të financohet nga paratë e buxhetit, paratë e mbetura nga fondi i privatizimit dhe një pjesë nga trusti”, tha ai.

Ky fond, sipas Ymerit, do të ndihmojnë në katër sektorë, e para do të ketë parasysh punësimin, e dyta investimet në asetet si Trepçë, Telekom, energji. E treta ka të bëjë me investime dhe kreditimin e kompanive që eksportojnë. E katërta është investimi në rritjen dhe hapjen e kompanive që janë të orientuara në teknologji dhe informacion.

Muhamet Spahiu nga AAK, ka paraqitur disa nga prioritet e tjera sa i përket zhvillimit ekonomik.

Ai tha se do të ndërmerren edhe disa masa të tjera që kanë të bëjnë me krijimin e kushteve të të bërit biznes, duke filluar nga politikat fiskale, ku do të ulen taksat me 4 për qind për kompanitë, lirimin nga çdo tatim për produktet e eksportuara.

“Bizneseve do t’iu bëjmë lehtësira. Eliminimi i të gjitha kontrolleve fizike që bizneseve iu bëhen nga ATK. Rastet e dënimit të bizneseve do të krijohet një bord i ankesave që do të jetë me përbërje të jashtme”, tha ai.

Ymeri pret që gjatë qeverisjes AAK-PSD të ketë rritje të buxheti deri në 3 miliardë euro.

“Do të zgjerohet gama e produkteve që paguajnë me 8 për qind. Buxheti do të rritet deri në 3 miliardë”, tha ai.

Në këtë konferencë u bë e ditur se kandidati për kryeministër Ramush Haradinaj nuk ka marrë pjesë në debatin me të rinjtë që është mbajtur sot për shkak se gjendet për udhëtim zyrtar në ShBA.

Ndryshe, Visar Ymeri bëri të ditur se koalicioni AAK-PSD do të kenë hapjen e fushatës zgjedhore në Suharekë, në ora 18.00. /kp/

Exit mobile version