Site icon Telegrafi

Koalicionet paszgjedhore do të varen nga ulëset në Kuvend

Koalicionet paszgjedhore do të varen nga votat që dalin pas zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit. Kështu deklarojnë njohësit e çështjeve politike në vend.

Ata mendojnë se në rast se asnjëri koalicion nuk arrin t’i marrin votat e nevojshme, atëherë mund të kenë nevojë nga partitë e vogla në mënyrë që Lista Serbe mos të jetë faktor kyç në qeverisje.

Arton Demhasaj nga organizata “Çohu”, ia ka thënë Ekonomia Online, se rrjedha e koalicioneve pasgjedhore do të varet nga ulëset që i fiton partia e parë.

“Ne kemi katër lista të mëdha që garojnë si parti ose si koalicione, katër janë pothuajse të barabarta në garë me një dallim shumë të vogël tash për tash, të paktën sipas sondazheve me deri në 3 për qind që nuk është dallimi i madh tek i pari dhe i katërti dhe kemi Nisma-AKR që janë koalicion që mund të jetë i vogël në për qindje, kështu që këto katër koalicione ose parti, dalin së paku me 26 për qind në zgjedhje, atëherë me gjasë dy prej këtyre partive mund ta krijojë një shumicë të nevojshëm, që së bashku me minoritetet ta krijojnë një qeveri pa pas nevojë për Nismën dhe AKR”.

“Por në rast se kemi një rezultat që të gjitha këto parti nuk mund të dalin mbi 22 ose 23 për qind, atëherë potencialisht dy prej këtyre partive të mëdha mund të kenë nevojë për Nismën dhe AKR, në mënyrë që votat e Listës Serbe mos të jenë vendimtare në koalicionin e ardhshëm dhe në krijimin e saj”, ka thënë Demhasaj.

E analisti politik, Ramush Tahiri, ka thënë se në këto zgjedhje të gjitha partitë mund t’i ruajnë votat nga zgjedhjet e kaluara.

Ai ka thënë se potencialin e mirë për ruajtjen e votës e ka AAK-ja, nëse sipas tij, kreu i saj Ramush Haradinaj di ta shfrytëzojë në opinion veprimet e tij si mbrojtje e shtetit.

“Hulumtimet e sakta do të jenë një javë para daljes në zgjedhje mirëpo duke marrë parasysh situatën aktuale, momentalisht është LDK e para e cila ka 25 deputetë nga legjislatura e kaluar dhe me daljen e Vjosa Osmanit në skenë, nuk pritët të zvogëlohet kjo përqindje por të rritet dhe me këtë ritëm, kjo parti (LDK) mund të ketë 28-30 deputetë”.

“Ndërkaq koalicioni AAK-PSD së bashku i kanë 24 deputetë dhe pyetja është se a do t’i ruajnë këtë numër, duket ë vështirë por edhe nëse ndodh kjo, atëherë kjo ndodh falë Ramush Haradinajt me veprimet e fundit që duhet t’i shpjegoj si mbrojtje e shtetit por jo si konfrontim me BE-në”, ka thënë Tahiri.

E për Vetëvendosjen thotë se kjo parti mund të ketë rritje, por assesi rënie.

Ndërkaq Krenar Shala konsideron se koalicionet paszgjedhore nuk bëhen në baza të parimeve. Ai shton se në këtë sistem politik, parandalohet diktatura, ku asnjëra parti në vend nuk mund të jetë shumë e fortë.

“Koalicionet paszgjedhore nuk bëhen në bazë të parimeve por në bazë të interesave partiake dhe njëjtë do të jetë edhe në këto zgjedhje, pra nuk e dimë se kush do të jetë në qeveri, sepse shumë gjëra do të varet se kush do t’i fitojë zgjedhjet. Megjithatë mendoj që është e rëndësishme që qytetarët ta dinë se cilat parti janë të pritura që të vendosin koalicione parimore”.

“Mendoj se qytetarët e kanë të qartë këtë gjë. Sistemi ynë politik më shumë iu jep përparësi partive të vogla sesa atyre të mëdha. Nëse sistemin tonë politik më shumë ki llogari të jesh parti e vogël se një parti e madhe dhe me këtë mendoj se ky sistem i ka anët pozitive dhe ato negative dhe mendoj që ky sistem politik e parandalon diktaturën sepse asnjë parti nuk mund të jetë shumë e fortë”, ka thënë Shala.

Në zgjedhjet e 6 tetorit kandidojnë 20 partie dhe 4 koalicione me 1070 kandidatë për deputetë dhe Esmir Kasi si kandidat i pavarur.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do t’i kushtojnë buxhetit të shtetit rreth 6 milionë euro.

Exit mobile version