Site icon Telegrafi

Koalicionet e (pa)natyrshme

Partitë politike në Kosovë deri më tash nuk kanë treguar preferenca për lidhjen parazgjedhore të koalicioneve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë. Dy partitë më të mëdha, PDK dhe LDK, për shkak të paraqitjes në të kaluarën të problemeve rreth ndarjes së pushtetit me partitë e vogla, nuk dëshirojnë të bëjnë koalicione të (pa)natyrshme. Ato më shumë preferojnë që të hyjnë të vetme në garën e ardhshme zgjedhore. Janë thellë të bindur se edhe pa përkrahjen e partive të vogla, do t’i fitojnë zgjedhjet parlamentare. Formimin e koalicioneve të (pa)natyrshme duket se e kanë planifikuar, pas shpalljes së rezultateve zgjedhore. PDK-ja dhe LDK-ja, të cilat për tre vjet rresht kanë qeverisur vendin, kanë shfaqur rezervat e tyre, që edhe pas “fitores” së zgjedhjeve të mos ngutën që të bëjnë koalicione të (pa)natyrshme.

Ish-presidenti i Kosovës, aktualisht kryetar i LDK-së, Fatmir Sejdiu, pas humbjes së postit të Presidentit dhe tërheqjes së partisë së tij nga koalicioni, nuk ngurroi ta quajë të “panatyrshëm” koalicionin me PDK-në. Tha se koalicioni PDK-LDK, në vitin 2007, është bërë vetëm për interes të formimit të shtetit, dhe se nuk ka pasur bashkim të ideologjive mes tyre! Sejdiu ende pa filluar gara zgjedhore po i heq të gjitha dilemat se LDK-ja nëse fiton në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, “përveç paraqitjes sërish të ndonjë interesi të vendit”, më nuk do të krijojë koalicion të “panatyrshëm” me PDK-në. Ndryshe nga lideri i LDK-së, Fatmir Sejdiu, lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, pas rizgjedhjes në postin e kryetarit në Kuvendin e Pestë Zgjedhor të PDK-së, ndërkaq nuk ka përjashtuar mundësin e bashkëpunimit dhe formimin e koalicionit me asnjë subjekt politik në vend. Edhe pse akuzoi rëndë ish-presidentin dhe kryetarin e LDK-së, Sejdiun, për shkeljen e Kushtetutës dhe largimin e partisë së tij nga Qeveria, kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi nuk përjashtoi mundësin e krijimit të ndonjë koalicioni të ardhshëm as edhe me LDK-në. “PDK-ja do të bashkëpunojë me të gjitha partitë politike ne vend…”, premtoi Thaçi në Kuvendin e Pestë Zgjedhor të PDK-së.

Por, a ka qenë i panatyrshëm koalicioni i deritashëm PDK–LDK? Për tri vjet sa kanë qenë në bashkëqeverisje këto dy parti politike, opozita, dhe përfaqësues të OJQ-ve të ndryshme kanë dhënë vlerësime të ndryshme rreth krijimit dhe funksionimit të këtij koalicioni. “Definicioni” përfundimtar i tyre, ka qenë se koalicioni në mes PDK-së dhe LDK-së ka qenë i panatyrshëm! Teoria e tyre është përforcuar, sidomos pas tërheqjes së LDK-së nga Qeveria, dhe prishjes së koalicionit me PDK-në. “Kjo është dëshmia më e mirë që tregon se koalicioni PDK-LDK ka qenë i panatyrshëm”. Ndërrimin e pushtetit e bëjnë edhe vendet më shumë parti, siç është Italia me mbi 70 parti, si dhe Franca. Partitë politike në këto dy vende e formojnë pushtetin me koalicione qeveritare sado që nuk është treguar praktikë e qëndrueshme. Rast eklatant është Italia, ku shpesh bie qeveria për shkak koalicioneve të spektrit të gjerë partiak. Rotacioni u mundëson partive që të kenë zgjedhje më të shpeshta, që pushteti të reformohet dhe të ndryshohet, që partitë politike të pretendojnë të marrin pushtetin nëse janë në opozitë, apo të ruajnë atë nëse nuk mund të marrin të tërin.

Rivaliteti politik në mes partive politike, dhe pastaj krijimi i koalicioneve, nuk nënkupton se është i panatyrshëm, pavarësisht kush me kënd ka bërë koalicion. Fundja, partitë politike janë shprehje e mospajtimit në shoqëri sesi duhet të ndahen të mirat dhe cilat normave duhet t’u përmbahemi. Ato, paraqesin interesa dhe vlera të ndryshme. “Lufta e të kundërtave, sjell avancimin e shoqërisë”, thoshte Aristoteli. Sipas tij, ndeshja e të kundërtave është nevojë thelbësore e demokracisë, sepse kjo ofron zgjedhje për njerëzit. Ndryshe nga vendet me demokraci më të zhvilluar, partitë politike në Kosovë, nuk kanë dallime esencial mes vete. Asnjëra prej tyre ende nuk është e profilizuar, ndonëse kanë kaluar dhjetë vjet nga përfundimi i luftës. Partitë tona politike as vetë nuk e dinë se a janë të majtë apo të djathtë. Përveç deklarimeve të disa zyrtarëve të disa partive politike se janë në ndërtim të profilizimit dhe përcaktimit, nuk ekziston ndonjë ndarje e thellë ideologjike e tyre. Kjo është vërejt edhe në veprimet e tyre.

Zgjedhësit në Kosovës, vështirë e kanë t’i bëjnë dallimet midis njërës apo tjetrës parti politike. Në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, partitë politike në Kosovë, para zgjedhësve është mirë të tregojë se kanë gjëra që nuk i kanë partitë tjera. Ato, në këto zgjedhje e kanë për obligim që para votuesve të argumentojnë a kanë dallim esencial mes vete dhe nëse po cili është ai? Është e rëndësishme për secilën parti politike në vend të tregojë se cilat janë ato gjëra që nuk i ka rivali i tyre politikë. Ndarja ideologjike në të majtë dhe të djathtë është shumë e rëndësishme dhe e domosdoshme për partitë politike në Kosovë. Një ndarje e tillë do të rritë zhvillimin e demokracisë në vend. Kjo nuk është çështje dëshire, por nevojë e domosdoshme e zhvillimit të demokracisë. Përderisa partitë politikë në Kosovë nuk përcaktohen për profilizimin e tyre, çdo formim i koalicionit, pas përfundimit të zgjedhjeve nuk do të jetë i panatyrshëm. Prandaj, natyra e formimit të koalicioneve varet kryekëput nga profesionalizimi dhe përcaktimi i partive politike.

Exit mobile version