Dita Ndërkombëtare për Persona të Zhdukur na rikujton se gjithkund në botë, mijëra njerëz janë zhdukur si pasojë e konflikteve të armatosura, katastrofave natyrore dhe migrimit.
Me rastin e shënimit të kësaj dite në Kosovë, Agim Gashi, shef i Misionit të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK), tha po mundohen të ngrisin vetëdijen mbi nevojat e familjeve të cilat ende jetojnë në vuajtje dhe ankth si rezultat i mosdijes se çfarë ka ndodhur me më të dashurit e tyre.
“Në përpjekje të përbashkët për të paraqitur gjendjen e vështirë të familjeve, e për nder të kësaj date, KNKK përkrahë aktivitetet e Shoqatave Familjare për persona të zhdukur”, thuhet në njoftim.
Mungesa e informatave për varreza të reja, sipas Gashit, është pengesë kryesore për zbardhjen e rasteve ende të pazgjidhura të personave të zhdukur.
“Është shqetësues fakti se trendi i zbardhjes së rasteve ka rënë dukshëm viteve të fundit. Gjatë tetë muajve që lamë pas, vetëm 6 raste janë zgjidhur. Në këtë aspekt, ne kërkojmë nga autoritetet që të shtojnë përpjekjet për zgjidhjen e këtij problemi humanitar, i cili vazhdon të prekë shoqërinë për afër dy dekada”, tha Gashi.
“Si pasojë e konfliktit të armatosur të viteve 1998/1999 në Kosovë, 6,057 persona i janë raportuar KNKK-së si të zhdukur. Përderisa procesi i kërkimit ka dhënë rezultate, duke iu mundësuar familjeve të 4,409 personave të gjejnë prehje, ky është një ngushëllim i vogël për familjet e 1,648 personave të zhdukur, që vazhdojnë të jetojnë në paqartësi aq gjatë”, thuhet në njoftim.
Sipas së drejtës ndërkombëtare humanitare (DNH), ish-palët ndërluftuese në konflikt mbartin përgjegjësinë ligjore të ndërmarrin të gjitha masat e mundshme për të zbardhur fatin dhe vendndodhjen e personave të zhdukur në territorin që ata kontrollonin dhe për t’i informuar familjet e tyre. /Telegrafi/