Kanë kaluar më shumë se 23 vite që nga përfundimi i konfliktit të armatosur në Kosovë, ndërsa familjarët e më shumë se 1,600 personave të zhdukur janë ende në pritje të përgjigjeve për fatin dhe vendndodhjen e të dashurve të tyre.
Këto familje janë lënë në harresë, kanë ngecur në të kaluarën, në pamundësi që të mbajnë zi, të planifikojnë apo të shikojnë kah e ardhmja. Pandemia e COVID-19 vetëm sa e ka rënduar barrën që familjet është dashur ta mbartin për një kohë të gjatë.
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK), përmes një njoftimi ka thënë se u ka qëndruar pranë familjarëve të personave të zhdukur, duke u ofruar mbështetje në vazhdimësi, përfshirë në aspektin psikosocial, në përpjekje për t’ua lehtësuar vuajtjet. Megjithatë, është mbështetja dhe bashkëndjesia e shoqërisë si tërësi, dhe e autoriteteve dhe komuniteteve të tyre në veçanti, ajo që është tejet e rëndësishme për t’u ndihmuar atyre që ta përballojnë dhimbjen.
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Persona të Zhdukur, Shefi i Misionit të KNKK-së në Kosovë, Agim Gashi, tha: “Familjarët e personave të zhdukur kanë pritur lajme për fatin dhe vendndodhjen e të dashurve të tyre qe shumë vite. Sikur në të kaluarën, edhe sivjet, ne i bëjmë thirrje tërë shoqërisë dhe autoriteteve që të mendojnë përsëri se çfarë tjetër mund të bëjnë për t’i ngushëlluar familjarët e personave të zhdukur në një situatë të rënduar nga pandemia.”
“Si vlerësim pozitiv Gashi theksoi përparimin e dukshëm që është arritur në zbulimin e varrezave të reja gjatë vitit të kaluar dhe i përgëzoi autoritetet për punën e tyre të vazhdueshme, duke njoftuar se këtë vit është zbardhur fati i 13 personave”, thuhet në njoftim.
“Është thelbësore që të shfrytëzohen kontributet e të gjitha palëve dhe akterëve të përfshirë në proces për të arritur rezultate më të mira”, tha Gashi.
Sipas së drejtës ndërkombëtare humanitare, familjarët e personave të zhdukur kanë të drejtë të dinë se çfarë ka ndodhur me të dashurit e tyre, ndërsa shtetet janë të obliguara që atyre t’u ofrojnë përgjigje dhe mbështetje. Si përherë, KNKK-ja është e gatshme t’i mbështesë autoritetet në përmbushjen e përgjegjësive të tyre në këtë aspekt dhe i inkurajon ato që çështjen ekskluzivisht humanitare të personave të zhdukur ta vënë në rend të parë.
Në anën tjetër, është momenti i fundit që të paraqitet kushdo që mund të ketë informata të cilat mund të çojnë në zbardhjen apo zgjidhjen e cilitdo rast të cilitdo personi të zhdukur. Koha nuk e shëron agoninë e familjarëve të personave të zhdukur, por atë e mundëson vetëm pranimi i përgjigjeve. /Telegrafi/